

Greqi, arrestohet 19-vjeçari i kërkuar nga Shqipëria për vrasje, udhëtonte me dy të rinj të tjerë, çfarë zbuloi policia
Një 19-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar nga policia greke gjatë një kontrolli në aksin rrugor Kalamata–Pylos.
Operacioni u zhvillua mëngjesin e 10 tetorit, kur efektivët ndaluan një automjet me të cilin udhëtonin tre të rinj të moshave 19, 21 dhe 22 vjeç.
Gjatë verifikimeve, policia zbuloi se ndaj 19-vjeçarit ishte lëshuar një njoftim i kuq ndërkombëtar me kërkesë të autoriteteve shqiptare, në lidhje me veprat penale të vrasjes dhe armëmbajtjes së paligjshme. Bëhet fjalë për një vrasje të ndodhur më 9 mars 2026.
Nga kontrolli i automjetit u sekuestruan 14.7 gramë kanabis dhe një sasi e vogël kokaine.
"Për 19-vjeçarin kishte një njoftim kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, pasi akuzohet për vrasje dhe mbajtje e përdorim të paligjshëm të armëve të zjarrit.
U sekuestruan katër telefona celularë, si dhe karta identiteti dhe patenta drejtimi të autoriteteve bullgare", tha policia greke, citon noa.al.
Mësohet se, dy prej personave të ndaluar paraqitën karta identiteti bullgare për të cilat autoritetet ngritën dyshime mbi autenticitetin. Nga verifikimet rezultoi se ata qëndronin në mënyrë të parregullt në territorin grek.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






