

BERLIN, 11 Tetor 2026 — Ish-ministri i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane dhe ish-kryetar i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Bundestag, Michael Roth, ka reaguar me tone mjaft të ashpra ndaj deklaratave provokuese të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili pretendoi se flamuri serb do të valëvitet një ditë në Prizren.
Përmes një reagimi publik, diplomati gjerman dënoi prerazi pretendimet territoriale të Beogradit ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se retorika të tilla kërcënojnë drejtpërdrejt paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndor. Roth theksoi se një linjë e tillë politike mund ta çojë rajonin drejt një konflikti të ri ushtarak.
“E mjera Serbi! Ivica Daçiç dëshiron që flamuri serb të valëvitet mbi Prizren. Pretendimet territoriale ndaj një fqinji më lënë pa fjalë. Votuesit serbë duhet ta dinë se për çfarë po vendosin më 25 tetor. Kjo rrugë çon drejt luftës, nuk çon drejt BE-së. Nuk duhet të ketë më para të BE-së për Serbinë!”, u shpreh Roth.
Roth i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Bashkimit Europian që të pezullojë mbështetjen financiare dhe fondet e integrimit për Serbinë, duke argumentuar se veprimet e udhëheqësve në Beograd bien ndesh me parimet bazë dhe procesin e anëtarësimit në familjen europiane.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






