Transmetuar më 11-10-2026, 14:05

TIRANË, 11 Tetor 2026 — Policia e Tiranës ka zyrtarizuar planin e posaçëm të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë ndeshjes derbi mes Partizanit dhe Tiranës, e cila do të luhet mbrëmjen e sotme në orën 18:30 në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Për shkak të rivalitetit të lartë dhe numrit të lartë të pritshëm të tifozëve, autoritetet kanë ndërmarrë një sërë kufizimesh dhe udhëzimesh për mbarëvajtjen e aktivitetit:

Bllokimi i akseve rrugore Nga ora 16:00 e ditës së sotme deri në përfundim të ndeshjes, do të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në disa segmente kyçe pranë stadiumit:

Sheshi “Nënë Tereza”

Rruga “Lekë Dukagjini”

Rruga “Dervish Hima”

Zonat rreth e rrotull stadiumit

Itineraret e lëvizjes së tifozëve Policia ka përcaktuar rrugëkalime të detyrueshme për secilën tifozeri për të shmangur çdo pikë takimi dhe tension:

Tifozët e Partizanit: Nisja nga zona e Inxhinierisë, duke vijuar te rruga “21 Dhjetori”, “Libri Universitar”, përgjatë Presidencës, rruga “Gjergj Filipi”, te “Coin”, për t’u drejtuar më pas te tribuna N.

Tifozët e Tiranës: Nisja nga sheshi “Skënderbej”, pranë ish-Hotel Dajtit, Ura e Dajtit, kthim te ETC-ja, rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, më pas drejt rregës “Sheh Ahmet Pazari”, “Ambasador 3”, për t’u drejtuar te hyrjet V–S.

Rregullat e sigurisë dhe kontrollet në stadium Autoritetet paralajmërojnë kontrolle rigoroze në të gjitha pikat e hyrjes së stadiumit. Nuk do të lejohet futja e sendeve të forta, bidonëve të ujit, çadrave, çelësave metalikë apo lëndëve piroteknike.

Në mënyrë të veçantë, Policia kujton se:

Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur detyrimisht me dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Përndryshe, nuk do të lejohet hyrja.

Fëmijët nën moshën 16 vjeç, edhe nëse kanë biletë, nuk lejohen të hyjnë pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor, i cili gjithashtu duhet të ketë dokument identifikimi.

Personat e identifikuar më parë si problematikë nga strukturat e rendit nuk do të lejohen të hyjnë në ambientet e stadiumit.

Policia u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve të shmangin lëvizjen në akset e lartpërmendura gjatë orarit të pasdites, si dhe kërkon bashkëpunimin e tifozerive për zbatimin e rregullave të sigurisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit