

LONDËR, 11 Tetor 2026 — Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar ka caktuar zyrtarisht datën 17 mars 2027 për të shqyrtuar apelin e paraqitur nga shteti shqiptar dhe Sekretarja britanike e Shtetit për Punët e Brendshme, Shabana Mahmood, lidhur me ekstradimin e pesë të dyshuarve për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Në qendër të këtij shqyrtimi gjyqësor njëditor do të jenë shtetasit Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman, Harry Simpson dhe Steven Hunt, të cilët kërkohen nga Prokuroria e Lezhës si bashkëpunëtorë në planifikimin dhe ekzekutimin e biznesmenit në Shqipëri. Nikulaj u vra nga shtetasi Ruben Saraiva, i cili tashmë është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.
Vendimi i Supreme Court vjen pasi Gjykata e Lartë britanike (High Court) më parë kishte shfuqizuar urdhrat e ekstradimit për shkak të procedurave ligjore. Konkretisht, kërkesat fillestare të certifikuara nga Britania i referoheshin veprave penale të "Vrasjes për shkak të gjakmarrjes" (Neni 78/a) dhe "Armëmbajtjes pa leje" (Neni 278/1), ndërsa në përfundim të procesit u kërkua ekstradimi për "Vrasje me paramendim" (Neni 78). Gjykata e lartë angleze do të përcaktojë nëse Sekretari i Shtetit duhet të identifikojë saktësisht veprën penale specifike gjatë lëshimit të urdhrit të ekstradimit sipas nenit 93 të Ligjit për Ekstradimin të vitit 2003.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






