Transmetuar më 11-10-2026, 12:22

I mori jetën një gruaje dhe dy burrave, kush është Valentin Ftoni që u arrestua në Nju Jork pas 25 vitesh në kërkim

Valentin Ftoni, 52-vjeçari shqiptar i dënuar dy herë me nga 25 vite burg për vrasjen e tre personave në Shkodër, është arrestuar në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas rreth 25 vitesh në kërkim ndërkombëtar.

Ftoni rezulton i dënuar për vrasjen e bashkëshortëve Gjelosh dhe Ardiana Markaj në vitin 2000, si dhe për vrasjen e Gac Tomës në vitin 2001.

Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi i tij është bërë i mundur pas bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me tri agjenci federale amerikane, pas një pune të gjatë për identifikimin dhe lokalizimin e tij.

Kush është Valentin Ftoni dhe për cilat krime është dënuar?

Valentin Ftoni ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001, pasi akuzohej për vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës.

Më 19 shtator 2000, në fshatin Ças të Velipojës, Ftoni vrau Gjelosh dhe Ardiana Markajn, për motive gjakmarrjeje, sipas vendimit të gjykatës.

Për këtë ngjarje, më 28 shtator 2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e shpalli fajtor dhe e dënoi me 25 vite burg për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Por kjo nuk ishte vrasja e vetme për të cilën ai u dënua.

Më 12 gusht 2001, Ftoni vrau shtetasin Gac Toma. Për këtë krim, më 18 nëntor 2008, Gjykata e Shkodrës e dënoi me 25 vite të tjera burgim për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

Si arriti të jetonte për vite me radhë në SHBA?

Nga hetimet dyshohet se, pas largimit nga Shqipëria, Valentin Ftoni ka përdorur dokumente të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në territorin amerikan.

Gjithashtu, autoritetet dyshojnë se gjatë qëndrimit në SHBA ai ka përdorur edhe një identitet tjetër të rremë, të siguruar nga një shtet i Amerikës Qendrore.

Përdorimi i këtyre identiteteve dyshohet se ka vështirësuar lokalizimin e tij për vite me radhë.

Si u bë i mundur arrestimi në Nju Jork?

Departamenti i Policisë Kriminale, përmes Drejtorisë për Krimet e Rënda dhe Njësisë së Përbashkët të Shërbimeve Investigative, ka bashkëpunuar me agjencinë federale amerikane DSS/OCIU, të pranishme në Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Në operacion janë përfshirë gjithashtu Shërbimi i Marshallëve Amerikanë (USMS) dhe Agjencia Amerikane e Emigracionit dhe Doganave (ICE).

Pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve hetimore, autoritetet arritën të identifikonin dhe lokalizonin 52-vjeçarin në Nju Jork, ku u bë arrestimi i tij.

Policia e Shtetit njofton se bashkëpunimi me agjencitë amerikane vijon për përfundimin e procedurave të ekstradimit të Valentin Ftonit drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimet e dhëna nga drejtësia shqiptare.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit