Transmetuar më 11-10-2026, 11:49

Zhduket kasaforta me 600 mijë lekë nga një dyqan në Kavajë, policia shkon në banesën e të dyshuarit dhe zbulon të papriturën

Një vjedhje e ndodhur gjatë natës në një dyqan rrobash në Kavajë është zbardhur nga policia, duke çuar në arrestimin e një personi dhe shpalljen në kërkim të bashkëpunëtorit të tij të dyshuar.

Ngjarja është denoncuar më 8 tetor 2026 nga menaxherja e një dyqani rrobash në lagjen nr. 3 të qytetit, e cila ka konstatuar se gjatë natës ishte vjedhur kasaforta me rreth 600 mijë lekë, si dhe gjashtë aparate celularë.

Menjëherë pas kallëzimit, policia e Kavajës nisi hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në vjedhje.

Si rezultat i veprimeve hetimore, është arrestuar M. L., 46 vjeç, banues në Kavajë, i dyshuar si një nga autorët e ngjarjes.

Gjatë kontrollit të banesës së tij, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar kasafortën e vjedhur, brenda së cilës ndodhej ende një sasi parash. Policia nuk ka saktësuar shumën e rikuperuar.

Ndërkohë, hetimet kanë çuar edhe në identifikimin e një bashkëpunëtori të dyshuar, A. S., 30 vjeç, gjithashtu banues në Kavajë, i cili është shpallur në kërkim.

Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Vjedhja”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit