

KAVALË, 10 Tetor 2026 — Vdekja tragjike e 16-vjeçarit shqiptar Asllan Gjana gjatë një ndeshjeje futbolli ka nxitur reagimin e menjëhershëm të autoriteteve vendore në Greqi, duke rikthyer në vëmendje kushtet e sigurisë në infrastrukturën sportive. Bashkia e Kavalës ka vendosur mbylljen pa afat të të gjitha fushave të futbollit nën administrimin e saj dhe pezullimin e lejeve të stërvitjes për fëmijët e të rinjtë deri në përfundimin e verifikimeve teknike.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ishullin e Thasos, ku 16-vjeçari, gjatë përpjekjes për të mbajtur topin brenda vijave kufizuese të fushës, u përplas fatalisht me pjesën e pasme të kokës në një mur mbrojtës pranë tribunave. Goditja i shkaktoi dëmtime të rënda që rezultuan mortore për të riun.
Urdhri i firmosur nga nënkryetari i Bashkisë së Kavalës për Kulturën, Sportin dhe Rininë, Christos Bosbotis, ngarkon grupet e punës për kryerjen e inspektimeve urgjente në çdo kompleks sportiv. Kontrollet do të përqendrohen te përmasat e fushave dhe distanca e sigurisë mes vijave të lojës dhe mureve apo strukturave të tjera të ngurta mbrojtëse.
Vendimi për pezullimin e aktiviteteve u është përcjellë autoriteteve policore dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Sportit në Greqi. Sipas udhëzimeve të reja, rifillimi i ndeshjeve dhe seancave stërvitore do të lejohet vetëm pas eliminimit të çdo rreziku teknik dhe marrjes së miratimit zyrtar nga Federata Greke e Futbollit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






