

DURRES – Starton me dy ndeshje java e 6-të e Abissnet Superiores. Teuta vazhdon marshimin bindës. Skuadra durrsake mposhti Skënderbeun me rezultatin 2-0, në një ndeshje që e mbylli me një lojtar më pak, por pa lejuar që fitorja t’i rrëshqiste nga duart. Me këtë sukses, të besuarit e Edlir Tetovës shkojnë në kuotën e 16 pikëve dhe ruajnë vendin e parë në klasifikim.
Durrsakët e ndërtuan fitoren që në pjesën e parë, duke goditur dy herë portën kundërshtare. Sherif Kallaku zhbllokoi rezultatin në minutën e 16-të nga pika e penalltisë, duke i dhënë Teutës avantazhin e parë. Në minutën e 32-të, Pedro Martelo dyfishoi shifrat dhe krijoi një epërsi të rëndësishme për skuadrën vendase përpara pushimit.
Në pjesën e dytë, Skënderbeu pati mundësinë të rikthehej në lojë, por nuk arriti ta shfrytëzonte. Bismark u tregua i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa topi i kthyer u dërgua në rrjetë nga Zenullari. Megjithatë, goli u anulua për shkak të hyrjes së parakohshme të futbollistit në zonë.
Situata u komplikua për Teutën në minutën e 74-t, kur Boçi u ndëshkua me karton të kuq për reagim antisportiv ndaj Drames. Pavarësisht inferioritetit numerik, durrsakët administruan avantazhin deri në fund, duke siguruar tri pikë të tjera me peshë në garën për kreun.
Elbasani dhe Vora ndajnë pikët
Në përballjen tjetër të ditës, Elbasani dhe Vora u ndanë në barazimin 1-1. Skuadra e drejtuar nga Gvozdenoviç kaloi e para në avantazh me Mazarin, por Vora reagoi në fundin e pjesës së parë, kur Karrica riktheu baraspeshën.
Në fraksionin e dytë, të dyja skuadrat kërkuan golin e fitores, por ndërhyrjet e portierëve mbajtën rezultatin të pandryshuar. Në fund, secila skuadër mori nga një pikë.
Elbasani ngjitet për momentin në vendin e katërt me 7 pikë, ndërsa Vora shkon në kuotën e 5 pikëve. Në krye, ndërkohë, Teuta vazhdon të diktojë ritmin, duke konfirmuar ambiciet e saj në këtë sezon të Superiores.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






