Transmetuar më 10-10-2026, 19:13

PRAGË, 10 Tetor 2026 — Një ngjarje e pazakontë ka tronditur kryeqytetin e Republikës Çeke, pasi një automjet patrullimi i policisë ka përfunduar në ujërat e lumit Vltava. Aksidenti ka ndodhur gjatë mëngjesit të së shtunës në urën Hlavka, ndërsa pamjet e siguruara nga kamerat kanë dokumentuar momentet e plota të daljes së mjetit nga rruga.

Sipas të dhënave paraprake, makina e policisë po lëvizte përgjatë shinave të tramvajit me sinjalet e alarmit dhe sirenën e aktivizuar, duke treguar se po i përgjigjej një thirrjeje urgjente. Në një moment, automjeti ka rrëshqitur, ka humbur plotësisht kontrollin dhe është përplasur fuqishëm me parmakun mbrojtës të urës, para se të zhytej në lumë.

Në bordin e mjetit ndodheshin dy efektivë, një efektiv dhe një efektive policie të moshës 25 deri në 30 vjeç. Fatmirësisht, të dy arritën të dilnin nga automjeti falë ndihmës së menjëhershme të një qytetari që po bënte vrap pranë zonës dhe u hodh në ujë për t’i shpëtuar.

Të tre personat dolën në breg shëndoshë e mirë, ndërsa dy efektivët e policisë shfaqën shenja të lehta hipotermie dhe morën ndihmën e parë mjekësore nga ekipet e emergjencës. Pak orë pas ngjarjes, makina e policisë u nxor nga uji me ndihmën e një vinçi të specializuar, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit