

Tre shqiptarë në pranga në Spanjë, policia zbulon çfarë fshihej pas makinave Mercedes dhe banesave me qira, plagoset një efektiv
Tre shtetas shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë spanjolle, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje në banesa në rajonin e Asturiasit. Gjatë operacionit, një efektiv policie mbeti i plagosur pasi njëri prej të dyshuarve kundërshtoi me dhunë arrestimin.
Sipas mediave spanjolle, të arrestuarit janë tre shqiptarë të moshave 29, 31 dhe 38 vjeç, të cilët dyshohet se janë përfshirë në 11 vjedhje banesash që prej muajit korrik.
Operacioni u zhvillua më 1 tetor në qytetin e Gijónit, nga një ekip i përbashkët i Policisë Kombëtare dhe Gardës Civile, ndërsa detajet u bënë publike më 9 tetor.
Hetimet zbuluan një mënyrë të organizuar veprimi, përmes përdorimit të automjeteve me targa të ndryshuara dhe banesave të marra me qira për periudha të shkurtra.
Sipas autoriteteve spanjolle, grupi përdorte dy automjete. Njëri shërbente për udhëtimin drejt rajonit të Asturiasit, ndërsa tjetri, me targa të falsifikuara, dyshohet se përdorej gjatë vjedhjeve për të shmangur identifikimin.
Të dyshuarit qëndronin në banesa me qira, të rezervuara përmes personave të tretë, duke u përpjekur të mos linin gjurmë të identitetit të tyre.
Hetuesit arritën të identifikonin një grua me origjinë nga Amerika e Jugut, e cila kishte marrë me qira një banesë në Gijón. Në shtator, ajo kishte rezervuar një tjetër apartament për nëntë ditë, çka ngriti dyshimet e policisë.
Pas vendosjes së banesës nën vëzhgim, efektivët konstatuan mbërritjen e dy personave me një automjet Mercedes-Benz, të cilëve iu bashkua më vonë edhe një person i tretë.
Gjatë hetimeve, policia zbuloi se dy prej shqiptarëve ishin arrestuar më parë në Barcelonë, në vitin 2023, si pjesë e një grupi të njohur si “Banda e Mercedesit”, i lidhur me vjedhje në banesa në veri të Spanjës.
Në momentin e ndërhyrjes policore, njëri nga të dyshuarit reagoi me agresivitet dhe plagosi një efektiv të Policisë Kombëtare, i cili kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan para në euro dhe dollarë, si dhe sende të dyshuara të vjedhura, një pjesë e të cilave u njohën nga pronarët e banesave të grabitura.
Tre shqiptarët dolën përpara Gjykatës së Gijónit më 2 tetor, e cila vendosi masën e paraburgimit për të gjithë.
Ata akuzohen për pjesëmarrje në grup kriminal dhe vjedhje me thyerje, ndërsa njëri prej tyre përballet edhe me akuzën e sulmit ndaj punonjësit të policisë.
Identitetet e tre shqiptarëve nuk janë bërë publike nga autoritetet spanjolle.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






