Transmetuar më 10-10-2026, 18:23

TIRANË, 10 Tetor 2026 — Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka kërkuar një reformim të thellë të sistemit të financimit të pushtetit vendor në Shqipëri, duke paralajmëruar se struktura aktuale cenon autonominë financiare dhe qëndrueshmërinë e bashkive. Në një raport të asistencës teknike, FMN-ja vëren se decentralizimi fiskal ka mbetur pas reformave administrative, ndërsa të ardhurat që sigurojnë vetë njësitë vendore mbulojnë vetëm rreth gjysmën e shpenzimeve të tyre.

Institucioni financiar ndërkombëtar ngre shqetësimin për varësinë e lartë të bashkive nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila lidhet drejtpërdrejt me aktivitetin e ndërtimit dhe sjell luhatje të paqëndrueshme në planifikimin buxhetor. Për të garantuar burime të qëndrueshme, FMN-ja rekomandon që taksa mbi pasurinë e paluajtshme të shndërrohet në shtyllën kryesore të financimit vendor, përmes kalimit te vlerësimi i pronave sipas çmimeve të tregut, heqjes së zbritjes prej 50% për banesën e parë dhe përmirësimit të kadastrës fiskale.

Raporti sugjeron gjithashtu rritjen e normave të taksës mbi kalimin e pronësisë së pasurive të paluajtshme në nivele të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian, si dhe mundësinë e aplikimit të një shtese vendore mbi tatimin mbi të ardhurat personale. Paralelisht, rekomandohet rishikimi i skemës së shpërndarjes së fondeve nga qeveria qendrore, duke forcuar transfertat e pakushtëzuara për t’u dhënë bashkive më shumë fleksibilitet në menaxhimin e burimeve.

Këto rekomandime vijnë në një moment kyç për pushtetin vendor, pas miratimit në Kuvend të reformës së re administrativo-territoriale, e cila redukton numrin e bashkive në vend nga 61 në 46. Zbatimi i strukturës së re territoriale do të kërkojë përshtatjen e mekanizmave financiare për të garantuar mbulimin e shpenzimeve dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit