Transmetuar më 10-10-2026, 16:45

Familja e Erkan Nikës, 28-vjeçarit shqiptar që punonte si inxhinier i dytë në një anije mallrash turke, u ka bërë apel autoriteteve shqiptare që të angazhohen në kërkimet për gjetjen e tij, pasi anija ku ai shërbente u sulmua me dronë në Detin e Zi.

Babai i të riut, Rexh Nika, në një intervistë për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, ka kërkuar ndihmën e institucioneve shqiptare dhe autoriteteve në vendet përreth Detit të Zi për të zbardhur fatin e të birit.

“U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve, të gjitha institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, persona të plagosur ose individë të gjetur në zonat bregdetare të Detit të Zi. Kërkojmë ndihmë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë”, u shpreh Rexh Nika.

Familja Nika jeton në Turqi që prej vitit 1997, ndërsa Erkani punonte prej vitesh në anijen e mallrave Aroyat, e cila u sulmua pranë portit të Novorossiyskut, në Detin e Zi.

Sipas babait të tij, anija ishte nisur nga porti i Durrësit dhe në bord ndodheshin gjithsej 16 anëtarë të ekuipazhit. Pas sulmit, 15 prej tyre arritën të shpëtonin, ndërsa për Erkan Nikën nuk ka ende asnjë informacion të konfirmuar.

Rexh Nika ka treguar gjithashtu se komunikimi i fundit me të birin ishte zhvilluar më 23 shtator, pak ditë përpara sulmit.

“Me djalin, mesazhin e fundit e kam ditën e mërkurë, më 23 shtator. Në darkë, para se të flija, i kam bërë mesazh. Ma ktheu përgjigjen të nesërmen, në orën 08:39. ‘Jemi në Detin e Zi’, më ka thënë”, rrëfeu ai.

Sulmi me dronë ndaj anijes ndodhi më 27 shtator. Që prej asaj dite, familja vijon të kërkojë informacion për vendndodhjen e 28-vjeçarit, ndërsa shpreson që institucionet shqiptare dhe autoritetet ndërkombëtare të intensifikojnë përpjekjet për gjetjen e tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit