

Një operacion i madh kundër trafikut të drogës në Greqi ka çuar në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë dhe një shtetasi grek, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar mbi 347 kilogramë lëndë narkotike.
Operacioni është zhvilluar më 7 tetor në disa zona të rajonit të Atikës, ndërsa detajet janë bërë publike nga Policia greke më 9 tetor.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit janë dy shqiptarë, të moshave 44 dhe 23 vjeç, si dhe një shtetas grek 29-vjeçar.
Hetimet e kryera nga Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Organizuar kanë zbuluar një vend që dyshohet se përdorej për magazinimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të drogës.
Gjatë ndërhyrjes në zonën verilindore të Atikës, policia ndaloi 44-vjeçarin shqiptar, të cilit iu gjetën 3 kilogramë e 215 gramë kokainë, që sipas hetuesve dyshohet se ishin të destinuara për shitje.
Ndërkohë, në një tjetër operacion në pjesën perëndimore të Atikës, efektivët ndaluan shtetasin grek, në automjetin e të cilit u zbuluan 10.8 kilogramë kanabis i papërpunuar dhe 3.9 kilogramë kanabis i përpunuar.
Por zbulimi më i madh erdhi gjatë kontrollit në banesën që përdorte shqiptari 23-vjeçar.
Sipas policisë, në këtë ambient u sekuestruan rreth 32 kilogramë kokainë dhe mbi 297 kilogramë kanabis i përpunuar dhe i papërpunuar.
Hetuesit dyshojnë se 23-vjeçari furnizonte dy personat e tjerë me lëndë narkotike, duke vepruar edhe për llogari të një personi tjetër, i cili është shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit, i riu shqiptar dyshohet se ka kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë.
Në përfundim të operacionit, autoritetet greke njoftuan sekuestrimin e 35.4 kilogramëve kokainë, mbi 312 kilogramëve kanabis, si dhe telefonave celularë, një automjeti, materialeve të paketimit dhe sendeve të tjera që dyshohet se përdoreshin në aktivitetin e paligjshëm.
Sipas televizionit publik grek ERT, hetuesit dyshojnë se droga mbërrinte nga Spanja dhe magazinohej përkohësisht në Greqi, përpara se të shpërndahej në treg.
Ndaj tre të arrestuarve është ngritur dosje penale për vepra që lidhen me blerjen, posedimin dhe trafikimin e drogës, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personit tjetër të dyshuar.
Të arrestuarit janë dërguar përpara autoriteteve gjyqësore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






