Transmetuar më 10-10-2026, 12:28

Shqiptari mbyllet brenda makinës kur shikon karabinierët, ajo që bëri për t’i shpëtuar kontrollit e çoi në spital

Një shtetas shqiptar është arrestuar nga karabinierët italianë në Capriolo, në provincën e Brescias, pas një operacioni kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Ngjarja ka marrë një kthesë të papritur në momentin kur 43-vjeçari ka vënë re praninë e forcave të rendit dhe është mbyllur brenda automjetit të tij, duke gëlltitur disa doza lënde narkotike.

Sipas mediave italiane, karabinierët e kishin vëzhguar shqiptarin teksa dilte nga makina dhe i afrohej një automjeti tjetër, ku dyshohet se kishte dorëzuar një dozë kokaine.

Efektivët ndërhynë menjëherë, duke identifikuar blerësin dhe sekuestruar lëndën narkotike.

Ndërkohë, shqiptari u mbyll në makinën e tij dhe dyshohet se gëlltiti disa doza për të shmangur sekuestrimin e tyre.

Pas hapjes së automjetit, ai kundërshtoi ndërhyrjen e karabinierëve, por përfundimisht u arrestua për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe rezistencë ndaj zyrtarëve publikë.

Për shkak të rrezikut nga gëlltitja e drogës, 43-vjeçari u dërgua në spitalin civil të Brescias për ekzaminime mjekësore.

Më 9 tetor, gjykata konfirmoi arrestimin dhe vendosi ndalimin e qëndrimit të tij në provincën e Brescias.

Autoritetet italiane nxorën gjithashtu urdhrin e dëbimit dhe e transferuan shqiptarin në qendrën e riatdhesimit në Milano, në pritje të ekzekutimit të vendimit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit