

Preshevë, 10 tetor 2026 – Autoritetet serbe nuk kanë lejuar një delegacion nga Kosova të hyjë në Preshevë, ku përfaqësuesit kishin planifikuar të vizitonin kryetaren e komunës, Ardita Sinani, për t’i shprehur ngushëllimet pas vdekjes së babait të saj.
Lajmin e bëri të ditur vetë Sinani, e cila njoftoi se në delegacion bënin pjesë deputetet e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, Fatmire Mullhaxha Kollçaku dhe Liza Gashi, ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, si dhe Ragmi Mustafi, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.
Sipas Sinanit, delegacioni kishte udhëtuar drejt Luginës së Preshevës për t’i përcjellë ngushëllimet në emër të tyre dhe të kryeministrit Kurti, pas humbjes së të atit të saj.
Megjithatë, pas disa orësh pritjeje në pikën kufitare në Depcë, autoritetet serbe i kanë njoftuar përfaqësuesit e Kosovës se nuk do t’u lejohej hyrja në Preshevë.
Përballë kësaj situate, Sinani, së bashku me vëllezërit dhe familjarët e saj, është nisur drejt vendkalimit në Depcë, në territorin e Kosovës, ku ka takuar delegacionin dhe ka marrë ngushëllimet e tyre.
Në reagimin e saj, kryetarja e Preshevës e cilësoi vendimin si një veprim që, sipas saj, ndërhyn edhe në raste me karakter tërësisht njerëzor dhe familjar. Ajo akuzoi autoritetet serbe se po e shtrijnë politikën edhe në situata zie, kur qëllimi i vizitës ishte vetëm shprehja e solidaritetit me familjen.
Sinani bëri të ditur gjithashtu se deputetet i përcollën ngushëllimet e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Deri më tani, nuk është bërë publik ndonjë reagim zyrtar nga autoritetet serbe për arsyet e refuzimit të hyrjes së delegacionit në Preshevë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






