Transmetuar më 10-10-2026, 11:10

SHBA, 10 tetor 2026 – Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj vendimit për t’i dhënë Çmimin Nobel për Paqe Navi Pillay, duke e cilësuar zgjedhjen si të turpshme dhe një njollë të pashlyeshme për Norvegjinë.

Disa orë pas shpalljes së fitueses, Trump deklaroi gjatë një tubimi politik në Syracuse, në shtetin e New York-ut, se nuk kishte dëgjuar më parë për Pillay, të cilën e përshkroi si një “person misterioz”.

“Kjo është një njollë e pashlyeshme për vendin e Norvegjisë”, u shpreh presidenti amerikan, i cili prej kohësh ka shprehur publikisht dëshirën për të fituar këtë çmim.

Trump përsëriti gjithashtu pretendimin se kishte përfunduar tetë luftëra dhe se ishte pranë përfundimit ose fitores në dy konflikte të tjera, pa paraqitur prova për këto deklarata. “Çmimi Nobel për Paqe është diskredituar përgjithmonë nga një grusht ideologësh radikalë, që janë kundër demokracisë dhe, në të vërtetë, armiq të qytetërimit”, deklaroi ai.

Nuk është hera e parë që Trump shpreh pakënaqësi për mosmarrjen e çmimit. Në vitin 2025, pas dhënies së Nobelit për Paqe lideres së opozitës venezueliane, María Corina Machado, presidenti amerikan kishte reaguar në mënyrë të ngjashme.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, i kishte shpjeguar atëherë Trumpit se fituesi i çmimit nuk përcaktohet nga qeveria e Norvegjisë, por nga një komitet i pavarur me seli në këtë vend. Komiteti Nobel vlerësoi Navi Pillay për kontributin e saj në promovimin e paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe për përpjekjet që kanë ndihmuar në forcimin e një rendi juridik global më gjithëpërfshirës.

Pillay, 85 vjeçe, ka shërbyer si komisionere e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe si gjyqtare në institucione ndërkombëtare të drejtësisë. Kryetari i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Jørgen Watne Frydnes, theksoi rëndësinë e punës së saj për të garantuar ndjekjen penale të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

Pillay e mori lajmin në Pallatin e Drejtësisë në Nuremberg, ku fillimisht reagoi me humor, duke menduar se bëhej fjalë për një shaka. Më pas, ajo falënderoi të pranishmit për duartrokitjet dhe bëri një koment ironik për presidentin amerikan.

“Nëse duartrokisni edhe pak më shumë, ndoshta mund ta ndaj këtë çmim me Trumpin”, tha ajo me shaka.

Debati për Nobelin e Paqes ishte rikthyer edhe në fillim të këtij viti, kur Machado i dhuroi Trumpit medaljen e saj gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë. Ajo e paraqiti gjestin si shenjë vlerësimi për angazhimin e tij ndaj lirisë së Venezuelës, ndërsa Trump e cilësoi atë si një akt të mrekullueshëm respekti të ndërsjellë.

Megjithatë, Komiteti Nobel sqaroi se çmimi nuk mund t’i kalojë një personi tjetër, duke theksuar se, pasi shpallet, ai nuk mund të revokohet, të ndahet apo të transferohet.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit