

Një ngjarje tronditëse gjatë një ceremonie mortore në Karolinën e Jugut në SHBA ka përfunduar në përballje gjyqësore, pasi një familje zbuloi se në arkivolin e hapur ndodhej trupi i një personi të panjohur.
Gordon Evans ka paditur zyrtarisht shtëpinë funerale Ocean View, pasi gjeti trupin e një gruaje tjetër të veshur me rrobat, paruken dhe aksesorët e nënës së saj 87-vjeçare, Iris Evans që shihni në foto.

Sipas padisë së dorëzuar në gjykatë, familja kishte paguar rreth 13.800 dollarë për organizimin e shërbimit funeral për të ndjerën Evans, e cila përshkruhej si një grua e devotshme me dashuri të madhe për muzikën kishtare.
Përgatitjet parashikonin që ajo të përcillej me veshjen e saj më të mirë tradicionale afrikane, të cilën vajza ia kishte dorëzuar paraprakisht stafit të kompanisë funerale.
Përballja me gabimin ndodhi në sy të më shumë se 20 familjarëve të mbledhur për ceremoninë e lamtumirës.
Pasi Gordon njoftoi drejtuesit e shtëpisë funerale për ngatërrimin e trupave, kompania pranoi dështimin dhe pas dy orësh paraqiti trupin e saktë të nënës së saj, tashmë të veshur sipas porosive.
Vajza e të ndjerës kërkoi në gjykatë shumën e paguar për funeralin, 13.850 usd, si dhe shlyerjen e pagesës së shërbimit funeral që u bë sërish disa orë më vonë, këtë herë me trupin e vërtetë të nënës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






