

GJILAN, 10 Tetor 2026 — Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje të reja për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 tetor në fshatin Livoç i Poshtëm, ku humbën jetën një 27-vjeçare dhe vëllai i saj 31-vjeçar, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi rreth orës 14:30. I dyshuari, V.R., nga Gjilani, dyshohet se për motive ende të panjohura qëlloi me armë zjarri bashkëshorten e tij, N.B., 27 vjeçe, dhe vëllain e saj, E.B., 31 vjeç, duke u shkaktuar vdekjen.
Ndërkohë, M.B., 48 vjeç, djali i xhaxhait të bashkëshortes së të dyshuarit, mbeti i plagosur dhe po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pas ngjarjes, në vendin e krimit mbërritën ekipet përkatëse të Policisë së Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, të cilët ndërmorën veprimet e para hetimore për zbardhjen e rrethanave.
Gjatë hetimeve, autoritetet sekuestruan një pistoletë të markës “Beretta” me leje të skaduar, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale. Gjithashtu, janë kryer kontrolle në tri lokacione që lidhen me pronat e të dyshuarit, ku janë sekuestruar prova të tjera materiale.
Prokuroria bëri të ditur se i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale dhe se ndaj tij nuk janë raportuar më parë raste të dhunës në familje.
Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, do të vijojë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






