

TIRANË, 10 Tetor 2026 — Shtrenjtimi i karburantit po rrit kostot e bizneseve në të gjithë vendin, nga shërbimet e mekanikës bujqësore te fertilizantët, bulmeti, uji i ambalazhuar, distributorët e produkteve ushqimore dhe transporti publik. Një pjesë e kostove po amortizohet nga kompanitë, ndërsa në sektorë të tjerë po reflektohet me rritjen e tarifave të shërbimeve dhe çmimet për mallrat e konsumit.
Shtrenjtimi i çmimeve të karburanteve prej muajsh vijon të japë efekt zinxhir në ekonomi, duke rritur kostot e prodhimit, përpunimit dhe shërbimeve të transportit. Bujqësia dhe blegtoria mbeten ndër sektorët më të ekspozuar, ndërsa presioni po transmetohet te përpunuesit dhe prodhuesit e tjerë të mallrave të konsumit, përfshirë distributorët dhe transportin publik.
Bujqësia është ndër sektorët ku ndikimi i çmimit të naftës është më i drejtpërdrejtë. Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, bëri me dije se shpenzimet për lëndët djegëse përbëjnë 40% të kostos së shërbimeve të mekanikës bujqësore, ndërsa rritja e çmimit të karburantit ka sjellë shtrenjtim nga 25 deri në 33% të tarifave për plugimin dhe frezimin e tokës.
Sipas tij, çmimet për plugimet kanë arritur në 2,000 lekë për dynym nga 1,500 lekë që ishin më parë, ndërsa tarifa për frezimin e tokës ka arritur në 1,500 lekë për dynym nga 1,200 lekë. Rrapaj theksoi gjithashtu se ndikimi në kosto vjen edhe nga teknologjia e vjetër, parcelizimi i tokës, cilësia e karburanteve dhe vjetërsia e flotës së traktorëve e kombajnave.
Përllogaritjet treguan se deri në fund të gushtit, çmimi i naftës në Shqipëri rezultonte rreth 41% më i lartë se në Maqedoninë e Veriut dhe rreth 17% më i lartë se në Serbi. Nafta në vend ishte 30% më e shtrenjtë se mesatarja e rajonit prej 1,77 eurosh për litër.
Efekti zinxhir po ndihet edhe tek ekonomia qarkulluese. Kompania “AZ Group”, e cila prodhon fertilizantin 100% organik “AZ Fert” nga përpunimi i mbetjeve shtazore, ka ndërprerë importin e lëndëve të para nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova për shkak të kostove të larta të transportit. Si pasojë, mungesa e lëndëve të para ka reduktuar me rreth 25% prodhimin e fertilizantëve organikë për bujqësinë.
Edhe përpunuesit e qumështit po përballen me rritje të kostove në materialet e paketimit dhe në transport. Përfaqësuesi i kompanisë “Lufra”, Luis Ndreka, sqaroi se kostoja e ambalazhit plastik është aktualisht rreth 15–20% më e lartë krahasuar me periudhën para fillimit të luftës në Ukrainë, duke ushtruar presion mbi çmimet finale.
Ndreka theksoi se kompania ka amortizuar një pjesë të kostove shtesë nëpërmjet çmimit më të ulët të qumështit të blerë nga fermerët dhe atij të importuar, ndërsa riktheu në vëmendje kërkesën për uljen e TVSH-së prej 20% te produktet ushqimore bazë, siç zbatohet në vendet e rajonit. Nga ana tjetër, të dhënat e Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit tregojnë se disa prodhues kanë shtrenjtuar deri në 4% çmimet për kosin, qumështin dhe djathin.
Eksperti i ekonomisë Alban Zusi u shpreh se rritja e kostove nga energjia, gazi dhe karburantet po kufizon hapësirën e bizneseve për investime dhe zgjerim. Sipas tij, nafta ka shtrenjtuar kostot e transportit nga 10 deri në 30%, ndërsa për disa sektorë rritja arrin deri në 50%, gjë që po sjell frenim të investimeve, vështirësi në rritjen e pagave dhe largim të punonjësve në emigracion.
Prodhuesit e sektorëve të tjerë si uji i ambalazhuar dhe qeramika po përballen gjithashtu me presion mbi kostot. Administratori i ujit të pijshëm “Qafshtama”, Florant Dautaj, deklaroi se kompania ka zgjedhur të mos e transferojë rritjen e kostove te konsumatori, duke u fokusuar te rritja e eficiencës dhe investimi prej 3 milionë eurosh në një linjë të re automatike prodhimi në janar 2027. Përfaqësuesja e “K.I.D. Alb”, Ilda Baraj, propozoi ndërhyrjen e qeverisë për uljen e akcizës së gazit.
Te distributorët e produkteve ushqimore të importit, zv.drejtoresha e “MiniInvest”, Era Xhabafti, pohoi se rritja e kostove të transportit nuk është përkthyer plotësisht në çmimet e shitjes, pasi forcimi i monedhës vendase ka krijuar hapësirë për amortizimin e tyre.
Në transportin publik, kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj, tha se operatorët po përballen me një kosto të shtuar prej 50-60 lekësh për çdo litër karburant. Memaj kërkoi një paketë masash që përfshin lehtësimin e barrës fiskale mbi karburantin, subvencionimin e kategorive që udhëtojnë falas, një formulë financimi të lidhur me kilometrat, si dhe krijimin e korsive të posaçme për autobusët.
Për shkak të pamundësisë për të ndryshuar çmimin e biletës prej 40 lekësh të përcaktuar nga Bashkia e Tiranës, operatorët në kryeqytet kanë reduktuar dy herë numrin e autobusëve në disa linja këtë vit për të kufizuar shpenzimet, ndërsa mbeten në pritje të miratimit zyrtar të kompensimit prej qeverisë për katër muaj operimi.
Aktualisht, barra e taksave zë 53% të çmimit final të naftës në Shqipëri, ose 90 deri në 100 lekë për litër. Pavarësisht kërkesave për lehtësim fiskal, qeveria parashikon të vendosë një tarifë të re prej 3 lekësh për litër për financimin e rezervës së sigurisë, nga e cila llogaritet të arkëtohen rreth 3.75 miliardë lekë apo 40 milionë euro për blerjen dhe menaxhimin e naftës rezervë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






