

RAVENNA, 9 Tetor 2026 — Ronaldinho mund të rikthehet në fushën e blertë në moshën 46-vjeçare, këtë herë me fanellën e Ravenna-s në Itali. Sipas raportimeve të mediave italiane, ka nisur numërimi mbrapsht për debutimin e mundshëm të legjendës braziliane, i cili mund të zbresë në fushë në derbin kundër Forlì-t, më 15 nëntor, në orën 17:30.
Klubi i Ravenna-s, që drejtohet nga trajneri Andrea Mandorlini, synon ngjitjen në Serie B. Skuadra ndodhet aktualisht në vendin e dytë të grupit B në Serie C, pesë pikë larg Spezia-s kryesuese.
Sipas gazetës Il Resto del Carlino, përballja me Forlì-n mund të jetë rasti kur Ronaldinho të shfaqet për herë të parë në fushë me skuadrën italiane, duke u dhuruar tifozëve një moment të veçantë.
Ish-ylli i Barcelonës dhe i Milanit konsiderohet një prej futbollistëve më spektakolarë të brezit të tij. Me teknikën, driblimet dhe aftësinë për të bërë diferencën, braziliani fitoi zemrat e miliona tifozëve në mbarë botën. Për Ravenna-n, prania e tij do të përbënte një ngjarje të jashtëzakonshme, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë mediatik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






