Transmetuar më 09-10-2026, 20:50

TIRANË, 9 Tetor 2026 — Rokada e ambasadorëve shqiptarë në Prishtinë dhe Shkup u parapri nga një seancë dëgjimore në Kuvend.

Denion Meidani, i propozuar si diplomat në Kosovë, ka vendosur të ecë në hapat e babait të tij, ish-presidentit Rexhep Meidani:

“Pesë vendet anëtare, Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Meqë statusi i vendit kandidat kërkon unanimitet, pa këto pesë njohje rruga evropiane e Kosovës mbetet e bllokuar në vetë pragun e saj. Për mua, ky mandat ka peshë personale që nuk dua ta fsheh. Në pranverën e vitit 1999, kur Kosova po kalonte orët e saj më të errëta, babai im, Rexhep Meidani, premtoi se Shqipëria do të mbetej e hapur. Për mua, tashmë të përfaqësoj Shqipërinë në Prishtinë është një nder i madh. Mbaj me vete ADN-në e babait tim”, tha ai.

Lidhur me debatet për ligjin për Gjykatën Speciale, Meidani deklaroi:

“Mbështesim procesin e Apelit me bindjen e palëkundur se karakteri çlirimtar i luftës së Kosovës nuk mund të vihet në dyshim. Ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara janë vendim sovran i institucioneve të Kosovës dhe, dukshëm, vullnet popullor. Ne do t’i ndjekim në koordinim të ngushtë me partnerët tanë”.

Nga ana tjetër, Petrit Malaj, i cili largohet nga Prishtina për të marrë detyrën e ambasadorit në Shkup, u shpreh:

“Unë nuk do të jem ambasadori që nuk ndërhyn në politikën e brendshme të Maqedonisë së Veriut, por do të jem ambasadori që, në çdo komunikim institucional, do të mbështes dhe kërkoj respektimin e Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit”, tha Malaj.

Lidhur me prioritetet e tij dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ai shtoi:

“Këtu do të bëja një dallim të rëndësishëm. Të jesh krah shqiptarëve s’do të thotë të jesh kundër maqedonasve. Përkundrazi, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve duhet të jetë pjesë e mbrojtjes së karakterit multietnik dhe demokratik të vetë shtetit”.

Dy ambasadorët, para marrjes zyrtare të detyrës së re, duhet të dekretohen nga Presidenti i Republikës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit