

TIRANË, 9 Tetor 2026 — Shqipëria ka marrë miratimin paraprak nga Bashkimi Evropian për mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me “Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale”. Zhvillimi shënon një tjetër hap përpara në procesin e integrimit evropian të vendit.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER) ka miratuar mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Takimi është parashikuar të zhvillohet më 13 tetor në Luksemburg, ku pritet të zyrtarizohet edhe avancimi i Shqipërisë në këtë kapitull të negociatave.
Vendimi është përshëndetur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale e ka cilësuar këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, deklaroi kryeministri.
Sipas njoftimit zyrtar nga Kryeministria:
“Kapitulli 20 përfshin politikat dhe instrumentet që synojnë krijimin e një mjedisi më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm për biznesin. Në fokus të tij janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian.
Ky kapitull përfshin gjithashtu masa për inovacionin, digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat, në përputhje me politikat dhe praktikat më të mira evropiane.
Mbyllja e përkohshme e negociatave për këtë kapitull do të konfirmojë përparimin e Shqipërisë në ngritjen e kuadrit strategjik, institucional dhe rregullator për zbatimin e politikave industriale dhe të zhvillimit të sipërmarrjes, në përputhje me orientimet e Bashkimit Evropian.
Ky rezultat përbën një sinjal të rëndësishëm besimi për investitorët, komunitetin e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për qytetarët dhe bizneset shqiptare, ai krijon perspektiva më të mira për investime, inovacion, rritje ekonomike dhe punësim, duke e afruar ekonominë shqiptare me mundësitë që ofron Tregu i Vetëm Evropian.
Me formalizimin e këtij hapi më 13 tetor, Kapitulli 20 do të jetë kapitulli i katërt i negociatave që Shqipëria mbyll përkohësisht brenda tre muajve.
Vendimi përcjell një mesazh të qartë të mbështetjes politike për ecurinë e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit dhe të besimit në aftësinë e institucioneve shqiptare për të avancuar me ritëm të qëndrueshëm drejt objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.
Shqipëria mbetet e angazhuar për të vijuar reformat me të njëjtin vullnet dhe përkushtim, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet evropiane dhe shtetet anëtare.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






