Transmetuar më 09-10-2026, 16:41

Në Asti është arrestuar Aldo (Aleksandër) Baho, 37 vjeç, i lindur në Elbasan, raporton noa.al.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GJKKO kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Sipas hetimeve, 37-vjeçari dyshohet se në vitin 2022 ndërmjetësoi për vrasjen e një personi me inicialet L. M., atentat që mbeti në tentativë.

Policia jonë e Shtetit dha këtë informacion:

Më datë 29.09.2026, GjKKO-ja i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Në vitin 2022, në Tiranë, shtetasi A.(A.) B. dyshohet se në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka ndërmjetësuar për vrasjen e shtetasit L. M., krim i cili mbeti në tentativë.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri.

Arrestimi u realizua në bashkëpunim me Guardia di Finanza. Autoritetet po përgatisin procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë.

Kush është Aldo, i njohur me nofkën "Sakati", konsiderohej krahu i djathtë i ‘Tarzanit’ të ekzekutuar në Bradashesh

Aldo Aleksandër Baho, i njohur si Sakati, nofkë të cilën e mori pasi i mbijetoi një atentati të mirorgënizuar në fshatin Murras në Elbasan, ku humbi jetën vëllai i tij, është arrestuar për llogari të drejtësisë së Italisë.

Baho u prangos teksa po tentonte Greqinë. Në Itali kërkohet për përfshirje në trafik narkiotikësh, në kuadër të një grupi kriminal.

Aldo Aleksandër Baho, është një emër i njohur për policinë, i konsideruar si krahu i djathtë i Endrit Alibej, i njohur si Tarzani, ekzekutuar bashkë me xhaxhain dhe një shtetas turk, në atë që njihet si masakra e Bradasheshit në dhjetor të vitit 2018. Pas kësaj ngjarje të rëndë, në shenjëstër u vu dhe Baho.

Atij dhe të vëllait iu bë atentat një ditë pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit në Murras të Elbasanit. Nga breshëria e plumbave gjeti vdekjen Kevin Baho, ndërsa Aldo apo Aeksandri mbeti i plagosur rëndë dhe vuan edhe sot pasojat, për shkak se ecën me paterica. Vëllezërit Baho sipas policisë ishin në shenjëstër të një grupi të fuqishëm kriminal për shkak të lidhjes së dyshuar me atë që konsiderohet si klani Alibej.

Aktualisht, Erjon Alibej është prangosur, nën dyshimet se ishte porositës i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, për të cilët dyshonte se ishin përfshirë në vrasjen e vëllait të tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit