

Tiranë, 9 tetor 2026 – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se javën e ardhshme pritet të krijohet Ministria e Administratës Publike, një institucion i ri që, sipas tij, do të ketë një rol të rëndësishëm në forcimin e administratës shtetërore dhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se administrata publike është kthyer në një nga prioritetet kryesore të qeverisë dhe se krijimi i ministrisë së re synon zgjerimin e përgjegjësive, detyrave dhe objektivave për modernizimin e shtetit shqiptar.
Kreu i qeverisë la të kuptohet se drejtimi i institucionit të ri do t’i besohet Adea Pirdenit, aktualisht ministre e Shtetit për Administratën Publike.
“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë, por është një temë shumë qendrore edhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Ai argumentoi se ngritja e këtij institucioni do të mundësojë zgjerimin e fushës së përgjegjësive dhe rritjen e ambicieve për përmirësimin e funksionimit të administratës shtetërore.
“Është nevoja që, përmes Ministrisë së Administratës Publike, një model që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, gamën e punëve dhe, patjetër, edhe gamën e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve”, deklaroi kryeministri.
Rama shtoi se, sipas tij, drejtimi i ministrisë së re duhet t’i besohet ministres përgjegjëse për administratën publike.
Krijimi i ministrisë pritet të konkretizohet javën e ardhshme, ndërsa detajet për organizimin dhe funksionimin e saj mbeten për t’u bërë të ditura zyrtarisht.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






