

Tiranë, 9 tetor 2026 – Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Në vendimin e marrë të premten, me shumicë votash, Kushtetuesja ka vendosur shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të datës 22 prill 2025, duke e konsideruar atë të papajtueshëm me Kushtetutën.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja të kthehet për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Megjithatë, vendimi nuk e shfuqizon drejtpërdrejt masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, të cilën Berisha kishte kërkuar ta hiqte. Çështja do të shqyrtohet sërish nga Gjykata e Lartë, e cila do të duhet të veprojë në përputhje me vendimin e Kushtetueses.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën një zhvillim të rëndësishëm në procesin gjyqësor që lidhet me masën e sigurisë ndaj kreut të opozitës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






