

“Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi”, del mesazhi i plotë kërcënues që u dërgua në 150 institucione zyrtare në Shqipëri, alarm për bombë
Një mesazh kërcënues, që paralajmëronte shpërthime me eksploziv dhe vrasje, ka shkaktuar alarm në institucionet zyrtare në Shqipëri këtë të premte, 9 tetor 2026.
Sipas informacioneve të siguruara nga noa.al, mesazhi është dërguar në rreth 150 institucione në të gjithë vendin, duke shkaktuar panik dhe shqetësim mes punonjësve dhe qytetarëve.
Në mesazhin e shkruar në gjuhën shqipe, dërguesi prezantohet si udhëheqës i një të ashtuquajture milici serbe dhe pretendon se ka vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesat e institucioneve të kërcënuara.
“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush”, thuhet në fillim të mesazhit.
Më tej, kërcënimi bëhet edhe më i rëndë, duke paralajmëruar një shpërthim brenda një ore.
“Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi”, shkruhet në mesazhin kërcënues.
Në pjesën përmbyllëse, autori i mesazhit përdor edhe retorikë kundër shqiptarëve, duke e lidhur kërcënimin me Kosovën.
“Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”, përfundon mesazhi.
Përmbajtja e tij ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e institucioneve që e kanë marrë.
Megjithatë, deri pas dreke nuk pati konfirmim se në ndërtesat e kërcënuara ishte vendosur realisht lëndë shpërthyese. Burime bëjnë të ditur se fakti që kërcënimi u krye në plot 150 institucione shtetërore në të gjithë vendin, e bënte të pamundur kontrollin fizik të të gjitha godinave dhe objekteve përreth tyre, e po ashtu dhe evakuimin e mundshëm.
Gjithashtu, identiteti dhe origjina e dërguesit nuk janë verifikuar, ndaj pretendimi se mesazhi vjen nga një grup serb mbetet i pakonfirmuar.
Mesazhi i plotë:
MESAZH I RËNDËSISHËM
Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush.
Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi.
Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






