Transmetuar më 09-10-2026, 14:20

BEOGRAD — Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar publikisht ndaj daljes me një listë të përbashkët të partive shqiptare në jug të Serbisë për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke e cilësuar këtë bashkim si një përpjekje të orkestruar nga jashtë për të ushtruar presion ndaj Beogradit dhe për të rikthyer në vëmendje çështjen e Luginës së Preshevës.

Në një intervistë për televizionet serbe, Vuçiç pretendoi se në këtë proces ka pasur ndikim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Po ashtu, ai lëshoi akuza të ashpra pa paraqitur prova ndaj kongresmenit amerikan Joe Wilson, duke e cilësuar si figurë të paguar nga qarqe shqiptare për të lobuar kundër Serbisë.

Lidhur me këtë zhvillim politik dhe zgjedhjet e ardhshme, Vuçiç deklaroi:

“Ju mund ta shihni tani, lidhur me zgjedhjet, atë që askush prej jush nuk e ka vënë re. Për herë të parë, partitë shqiptare janë bashkuar, sepse i bashkoi jo vetëm Kurti, por edhe të tjerë nga jashtë. Për herë të parë, ata po garojnë të gjithë së bashku.

Më të keqin dhe më të rrezikshmin prej tyre, Shaip Kamberin, e kanë vendosur në krye të listës, ndërsa dy të tjerët në vendin e dytë dhe të tretë. Pra, i kanë bashkuar të tria partitë, me qëllim që të ngrenë çështjen e të ashtuquajturës Lugina e Preshevës.

Dhe ata mendojnë se do ta çojnë përpara këtë çështje përmes këtij të paguari të tyre, Joe Wilson, të cilin e paguan ky Barjaktari, Barjaktari, mbështetësi i Kurtit, në Shtetet e Bashkuara. Për këtë person krenohen N1 dhe të ashtuquajturit studentë këtu, duke cituar një të paguar të mirëfilltë. Madje, nuk do ta quaja as lobist, por një të paguar të mirëfilltë, drejtpërdrejt nga shqiptarët.

Ashtu siç ishte ai Menendez, të cilit i referoheshin Marinika dhe Gjilas, por që u arrestua si hajdut dhe kriminel, pasi u zbuluan gjithçka që shqiptarët i kishin dhënë atje e të tjera me radhë, dhe ai nuk do të dalë kurrë nga burgu.

Pra, një i paguar i mirëfilltë i tyre. Përmes tij dhe të tjerëve në Evropë do të përpiqen ta ngrenë çështjen e Luginës së Preshevës. Atje do t’i presin ambasadorë të ndryshëm, të cilët do t’u thonë nuk e di se çfarë.

Nuk ka rëndësi që ne punojmë atje, që unë shkoj dhe u ndërtojmë rrugë, që punoj edhe me kryetarin e komunës së Bujanocit, edhe me këta e ata. Përpiqem të bëj gjithçka, por duket se nuk mjafton kurrë. Dhe e shihni se ekziston një faktor i jashtëm që do të merret me këtë çështje.

Vetëm të mos mendojnë se jam budalla. Dhe nuk do t’ua lejoj këtë.”

Sipas marrëveshjes mes subjekteve politike shqiptare në Luginën e Preshevës, lista e përbashkët udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa përfaqësuesit e partive të tjera radhiten në pozicionet vijuese për garën parlamentare të 25 tetorit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit