Transmetuar më 09-10-2026, 11:43

TIRANË — Hetimet e kryera nga njësitë e specializuara të hetimit kibernetik dhe Prokuroria kanë arritur të lokalizojnë burimin e dërgimit të valës së e-mail-eve kërcënuese me alarme për bomba, të cilat u dërguan mëngjesin e kësaj të premteje në rreth 150 institucione publike e shtetërore në Shqipëri.

Sipas të dhënave hetimore, serveri nga ku janë nisur mesazhet i përket “Unitropico” (Universiteti Ndërkombëtar i Tropikut Amerikan), një institucion publik arsimor me seli në qytetin Yopal të Kolumbisë. Ekspertët e krimit kibernetik dyshojnë se adresa elektronike ose sistemi i përdorur nga ky universitet është hakeruar nga autorët me qëllim fshehjen e gjurmëve dhe shkaktimin e panikut.

Në mesazhet kërcënuese, dërguesi paraqitej si “udhëheqës i milicisë serbe” dhe pretendonte se kishte vendosur mjete shpërthuese në godinat zyrtare duke kushtëzuar sulmet me çështjen e Kosovës. Kontrollet e imtësishme të Policisë së Shtetit në të gjitha ambientet e prekuara rezultuan negative për prani lëndësh shpërthyese, ndërsa puna hetimore vijon në nivel ndërkombëtar për identifikimin e personave përgjegjës pas këtij sulmi kibernetik.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit