

FIER — Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Transaksioni 2”, duke ekzekutuar masa sigurimi personal ndaj 14 shtetasve të dyshuar për ushtrim pa licencë të veprimtarive financiare.
Në zbatim të vendimit të gjykatës, forcat e rendit kanë vendosur masën “Arrest në shtëpi” për 11 shtetas të moshave nga 27 deri në 67 vjeç, me banim në Fier dhe Tiranë. Ndërkohë, për 3 shtetase të tjera u ekzekutuan masat e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Ndaj njërit prej të arrestuarve, shtetasit Ç. S., ka nisur edhe një procedim i ri penal pasi gjatë kontrollit në banesë i u gjetën një armë sportive, dy mjete prerëse dhe municion.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në njësitë tregtare dhe banesat e të përfshirëve, policia sekuestroi shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme, përfshirë mbi 4.4 milionë lekë, 92 mijë euro, 19 mijë dollarë, 8 mijë paund dhe franga zvicerane. Materialet hetimore i janë kaluar prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






