

TIRANË — Arrestimi i Valentin Ftonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka dhënë fund arratisjes me dekada të një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, i dënuar për tri vrasje të kryera në fund të viteve ’90 dhe fillimin e viteve 2000.
Ftoni, i cili ishte pjesë e listës me 30 personat më të kërkuar në Shqipëri, ka marrë dy dënime të veçanta me nga 25 vite burgim secili. Vendimi i parë lidhet me vrasjen e shtetasit Tom Gaci në vitin 1998, ndërsa dënimi i dytë përfshin ekzekutimin e çiftit Gjelosh dhe Ardiana Markaj në vitin 2000. Ai gjithashtu u gjykua edhe për vrasjen e Behar Becit në vitin 2001, ngjarje për të cilën gjykata e shpalli atë të pafajshëm.
Për t’i shpëtuar zbatimit të vendimeve gjyqësore, i kërkuari ka jetuar me identitete të ndryshme në SHBA për më shumë se dy dekada. Lokalizimi dhe vënia e tij në pranga u realizuan falë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit, Shërbimit të Marshallëve Amerikanë (US Marshals) dhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, ndërsa pritet nisja e procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






