

TIRANË — Miratimi i reformës së re administrative-territoriale me 85 vota pro në Kuvend ka zbardhur prapaskenat e konsolidimit të votave brenda mazhorancës, ku edhe zërat më kritikë brenda Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Elisa Spiropali, votuan përfundimisht në linjë me grupin parlamentar.
Votimi pro i dy deputetëve erdhi pas një ultimatumi të prerë të kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së mbyllur të grupit socialist, ku ai u bëri me dije deputetëve se moszbatimi i vendimit të shumicës do të shoqërohej me përjashtim të menjëhershëm. "Nëse ti voton kundër, je jashtë këtij Grupi Parlamentar", konfirmoi vetë Braçe paralajmërimin e marrë nga Rama, duke e cilësuar detyrimin për të votuar me shumicën si një "deformim demokratik brenda PS-së".
Pavarësisht se vetëm pak orë më parë kishin mbajtur qëndrime kritike nga foltorja e Kuvendit — ku Spiropali deklaroi hapur se "Reforma Territoriale nuk është një reformë" nëse nuk shoqërohet me financa e kompetenca reale, ndërsa Braçe kërkoi decentralizim për pushtetin vendor — të dy zgjodhën të votonin pro projektligjit në orët e vona të mesnatës.
Në votim mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, duke bashkuar kartonin pro me pjesën tjetër të mazhorancës. Me përfshirjen e të gjithë zërave kritikë, projektligji për reduktimin e bashkive nga 61 në 46 mori 85 vota, duke kaluar pragun e shumicës së cilësuar prej 84 votash që i nevojitej qeverisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






