

MAZATLAN — Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një shpërthimi të dhunshëm të përleshjeve brenda një burgu në Mazatlan, në shtetin perëndimor të Sinaloas në Meksikë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së enjte, kur konfrontimet mes të burgosurve degraduan me shpejtësi, duke detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të shumta të sigurisë, përfshirë repartet ushtarake dhe ato policore, për të rimarrë kontrollin e institucionit të ekzekutimit të dënimeve.
Ministri i Sigurisë Publike të shtetit të Sinaloas, Sinue Tejes, konfirmoi se mes viktimave përfshihen nëntë të dënuar si dhe një i mitur, i cili ndodhej brenda ambientit të burgut për të vizituar një të afërm. Ndërkohë, 16 të burgosurit e plagosur u transportuan nën masa të rrepta sigurie drejt spitaleve për ndihmë mjekësore.
Për të neutralizuar vatrat e dhunës, dhjetëra efektivë të armatosur dhe automjete të blinduara rrethuan godinën, ndërsa autoritetet pezulluan menjëhirë vizitat e familjarëve. Prokuroria vendase ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të përplasjes dhe rrethanave të vrasjes së të miturit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






