Transmetuar më 09-10-2026, 08:11

TIRANË — Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot reformën e re administrativo-territoriale me 85 vota pro, duke zyrtarizuar konsolidimin e mëtejshëm të pushtetit vendor dhe reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 në të gjithë vendin.

Votimi përfundimtar kaloi pa konsensusin e opozitës, ndërsa mes votave pro u përfshi edhe ajo e deputetit socialist Vullnet Sinaj, i cili ndryshoi qëndrim pas debateve brenda grupit parlamentar. Me këtë vendim, 15 bashki do të humbasin statusin e tyre si njësi të pavarura vetëqeverisëse duke iu bashkuar bashkive më të mëdha fqinje, ndërsa procesi i riorganizimit do të shoqërohet me një faza tranzitore shtrirë në kohë deri në vitin 2035.

Sipas hartës së re administrative, në qarkun e Shkodrës e Dibrës Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën dhe Klosi me Matin; në qarkun e Tiranës Rrogozhina i bashkohet Kavajës; në qarkun e Beratit Dimali dhe Poliçani shkrihen me Beratin; ndërsa në qarkun e Fierit Patosi i bashkohet Fierit dhe Divjaka Lushnjës. Në jug të vendit, Selenica bashkohet me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën. Po ashtu, në qarkun e Korçës Maliqi bashkohet me Korçën, kurse në qarkun e Elbasanit Cërriku e Belshi i bashkohen Elbasanit dhe Përrenjasi Librazhdit.

Raporti përfundimtar prej 357 faqesh i Komisionit të Posaçëm Parlamentar evidenton se përveç ndryshimit të kufijve, reformimi kërkon ndryshime të thella në formulën e financimit, rritjen e transfertës së pakushtëzuar, kthimin e një pjese të tatimit mbi të ardhurat personale sipas vendbanimit dhe përdorimin e rentës minerare e turizmit për territoret ku ato gjenerohen. Për përballimin e kostove kalimtare dhe integrimin e sistemeve, raporti rekomandon krijimin e një Fondi Kombëtar të Tranzicionit.

Nga ana tjetër, opozita përmes bashkëkryetarit Luçiano Boçi mbrojti një model me mbi 92 deri në 100 bashki, me argumentin se përqendrimi i pushtetit largon shërbimet nga zonat rurale e malore, duke propozuar rritjen e transfertës së pakushtëzuar në 2-4% të PBB-së. Ndërkohë, ekspertë të pavarur si Afrim Krasniqi dhe Gent Kaprata paralajmëruan se thjesht zvogëlimi i numrit të bashkive nuk garanton automatikisht shërbime më të mira publike nëse procesi nuk shoqërohet me decentralizim real fiskal dhe ruajtje të aksesit për komunitetet lokale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit