

Kuvendi i kontrolluar nga socialistët ka miratuar sot në orën 01.42 të mëngjesit, Reformën Territoriale, pas një seance maratonë prej rreth 15 orësh, të shoqëruar me debate të ashpra, tensione mes deputetëve dhe protesta jashtë godinës së Parlamentit.
Me 85 vota pro, mazhoranca arriti të sigurojë shumicën e cilësuar prej 84 votash, duke miratuar hartën e re administrativo-territoriale, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.
Momente kaosi janë regjistruar në sallën e Kuvendit gjatë votimit elektronik. Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar procesin, duke bllokuar foltoren dhe duke u përplasur me përfaqësuesit e mazhorancës.
Gjatë tensioneve, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka hedhur ujë në drejtim të deputetëve socialistë, ndërsa drejt kryeministrit Edi Rama janë hedhur shishe dhe sende të tjera. Situata pasoi ndërhyrjen e Gardës së Republikës, ndërkohë që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka vijuar procedurën e votimit.
Në momentet e fundit të seancës, në sallë është shfaqur edhe Belinda Balluku, ndërsa kryeministri Edi Rama kishte mbërritur në Parlament pak përpara votimit përfundimtar.
Tension edhe jashtë Parlamentit
Tensione të forta janë regjistruar edhe jashtë Kuvendit, ku protestuesit janë përplasur fizikisht me forcat e policisë, duke shtyrë kordonin e sigurisë dhe duke tentuar të rrëzojnë barrierat e vendosura rreth godinës.
Për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin, policia ka përdorur gaz lotsjellës, ndërsa situata është shoqëruar me momente të forta tensioni.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës dhe protestave, reforma u miratua, duke i hapur rrugë shkrirjes së 15 bashkive dhe riorganizimit të hartës së pushtetit vendor në Shqipëri. Disa thonë se kjo reformë e re favorizon sërish Ramën duke i siguruar edhe më shumë vota në raundet zgjedhore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






