Transmetuar më 08-10-2026, 23:40

Shqipëria ka avancuar në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, pasi është arritur dakordësi në nivelin e COELA-s për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20, që lidhet me sipërmarrjen dhe politikën industriale.

Çështja pritet të shqyrtohet nga COREPER, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE-së. Nëse qëndrimi i përbashkët miratohet, hapi i radhës do të jetë përgatitja e Konferencës Ndërqeveritare BE-Shqipëri, ku do të formalizohet mbyllja e përkohshme e kapitullit.

Kapitulli 20 përfshin fusha që lidhen me politikën industriale, zhvillimin e sipërmarrjes, klimën e biznesit dhe mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ende nuk ka një datë zyrtare për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare. Data 13 tetor është përmendur si një nga mundësitë, pas mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.

Vendimi përfundimtar pritet pas shqyrtimit në COREPER. Nëse procedura përmbyllet me sukses, Kapitulli 20 do të bëhet kapitulli i katërt i mbyllur përkohësisht nga Shqipëria në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit