Transmetuar më 08-10-2026, 23:00

Aktorja amerikane Demi Moore ka folur hapur për jetën e saj në moshën 63-vjeçare, duke e përshkruar periudhën aktuale si një nga etapat më të lira dhe më autonome të jetës së saj.

Në një intervistë për Harper’s Bazaar Arabia, Moore tha se për herë të parë po përjeton një jetë të ndërtuar kryesisht rreth vetes, pasi fëmijët e saj janë rritur dhe ajo nuk është në një marrëdhënie romantike.

“Ky është ndoshta momenti më autonom i jetës sime. Jam një grua beqare. Fëmijët e mi janë rritur. Tani, jeta ime më përket mua më shumë se kurrë”, u shpreh ajo.

Moore tregoi se në pjesën më të madhe të rinisë së saj kishte pasur përgjegjësi familjare dhe nuk kishte përjetuar të njëjtën ndjenjë autonomie që mund të kenë njerëzit e tjerë në moshë të re.

Sot, ajo e sheh beqarinë jo si mungesë, por si një mundësi për të shijuar kohën dhe hapësirën personale.

“Është sikur të kem shijuar një frut që nuk e kam provuar kurrë më parë dhe është kaq i shijshëm. Koha ime është e imja”, tha aktorja.

Megjithatë, Moore theksoi se kjo nuk do të thotë se e ka përjashtuar mundësinë e një lidhjeje të ardhshme.

“Nuk jam e mbyllur ndaj idesë së një partneriteti”, tha ajo, duke shtuar se sot nuk e përcakton më veten përmes statusit të saj si pjesë e një çifti.

Një pjesë tjetër e intervistës iu kushtua mënyrës se si ajo e sheh plakjen. Moore kundërshtoi idenë se kalimi i moshës duhet të shihet si humbje dhe bëri dallim mes plakjes dhe ndjesisë së “të qenit e vjetër”.

“Plakja është një dhuratë e jashtëzakonshme, ndërsa të bëhesh e vjetër është një mentalitet”, deklaroi ajo.

Aktorja tha gjithashtu se vlera e saj nuk përcaktohet nga pamja e jashtme, por nga personi që është bërë me kalimin e viteve.

“Vlera ime nuk bazohet te pjesa e jashtme e asaj që jam, por te brendësia e asaj që jam bërë”, u shpreh Moore.

Ajo vuri në dukje edhe mungesën historike të informacionit dhe përgatitjes për gratë mbi 50 vjeç lidhur me ndryshimet fizike, emocionale dhe psikologjike që shoqërojnë këtë periudhë të jetës.

Sa i përket kujdesit për veten, Moore tha se fokusohet te rutina të thjeshta, përfshirë gjumin cilësor, ushqimin e shëndetshëm, meditimin dhe krijimin e një ndjesie qetësie në jetën e përditshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit