Transmetuar më 08-10-2026, 22:48

Një reportazh i The Wall Street Journal ka sjellë në vëmendje debatet dhe konfliktet që shoqërojnë projektet e investitorit amerikan Jared Kushner në Shqipëri, me fokus zhvillimet e parashikuara në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit.

Reportazhi vendos përballë planeve për resorte luksoze, vila dhe superjahte pretendimet e banorëve për pronësinë e tokës, shqetësimet e ambientalistëve, hetimet e autoriteteve shqiptare dhe kostot që mund t’i ngarkohen shtetit shqiptar.

Në Zvërnec, projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi me kapacitet për rreth 350 superjahte, 600 shtëpi, 1,400 apartamente dhe një park ujor me sipërfaqe rreth 80 mijë metra katrorë.

Sipas The Wall Street Journal, një pjesë e banorëve pretendojnë se pronat që kishin përfituar pas viteve ’90 përmes ligjit 7501 janë transferuar pa pëlqimin e tyre dhe më pas janë përfshirë në një transaksion me vlerë mbi 100 milionë dollarë me një kompani të lidhur me Kushner.

Banorët thonë se i kanë drejtuar letra Kushnerit në vitin 2024 dhe sërish në maj të vitit 2026, por nuk kanë marrë përgjigje.

Një tjetër pikë e reportazhit lidhet me ndikimin e projektit në mjedis. Zona e Zvërnecit përshkruhet si habitat i dhjetëra specieve të rrezikuara dhe i mijëra flamingove. Gazetarët kanë dokumentuar ndërhyrje në terren, përfshirë një rrugë mbi dunat dhe një urë mbi kanalin që lidh lagunën me Adriatikun.

Ambientalistët kanë shprehur shqetësim për ndikimin e këtyre ndërhyrjeve në ekosistem, ndërsa pretendojnë se sedimentet dhe dherat mund të pengojnë qarkullimin natyror të ujit.

Reportazhi ngre gjithashtu pikëpyetje mbi kohën e nisjes së punimeve. Sipas një dokumenti të cituar nga The Wall Street Journal, leja ishte dhënë më 29 prill, por nuk ishte ende e firmosur dhe kërkonte plotësimin e kushteve të tjera. Ndërkohë, në terren ishin evidentuar shenja ndërhyrjesh.

Sipas medias amerikane, Prokuroria shqiptare ka nisur hetime lidhur me disa dyshime, përfshirë ndërtimin e paligjshëm.

Qeveria shqiptare ka mohuar se në zonë kishte nisur ndërtimi, ndërsa kryeministri Edi Rama i ka përshkruar ndërhyrjet si “punime të kufizuara paraprake”. Edhe grupi i Kushner ka mohuar kryerjen e punimeve pa leje dhe ka deklaruar se projekti ndodhet ende në fazën e planifikimit.

Sazani dhe kostoja e pastrimit të municioneve Reportazhi trajton edhe projektin e dytë të Kushnerit në ishullin e Sazanit, ku parashikohet një investim rreth 1.4 miliardë dollarë për një resort luksoz.

Përtej planeve për ndërtimin e vilave dhe strukturave turistike, The Wall Street Journal ndalet te trashëgimia ushtarake e ishullit. Ish-ushtaraku Artur Meçollari flet për disa zona ku mund të ndodhen rreth 120 tonë municione të pashpërthyera.

Një ndryshim i marrëveshjes në vitin 2025, sipas reportazhit, ka kaluar te qeveria shqiptare barrën financiare për pastrimin e municioneve.

Në këtë mënyrë, The Wall Street Journal e paraqet projektin jo vetëm përmes perspektivës së investimit dhe zhvillimit turistik, por edhe përmes çështjeve që lidhen me pronësinë e tokës, mbrojtjen e mjedisit, procedurat e lejeve dhe kostot që mund të përballohen nga shteti shqiptar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit