

Dy ngjarje të rënda kanë tronditur fshatin Boriç i Madh në Malësinë e Madhe, ku brenda dy ditësh janë gjetur pa shenja jete një 28-vjeçar dhe një 19-vjeçare.
Sipas Policisë, në të dyja rastet dyshohet paraprakisht për vetëvrasje. Ngjarja e parë është regjistruar më 6 tetor, rreth orës 15:20, kur 28-vjeçari me inicialet K.P., banues në Boriç i Madh, u gjet i pajetë në një zonë bujqësore të fshatit.
Një ditë më vonë, më 7 tetor, në të njëjtin fshat u gjet e pajetë 19-vjeçarja me inicialet D.Gj. Edhe për këtë rast, autoritetet dyshojnë paraprakisht për vetëvrasje.
Për të dyja ngjarjet janë nisur hetimet, ndërsa grupet hetimore po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në humbjen e dy jetëve.
Ndërkohë, banorë të zonës kanë ngritur dyshime për një lidhje të mundshme mes dy rasteve. Sipas pretendimeve të tyre, të cilat nuk janë konfirmuar nga autoritetet, 28-vjeçari dhe 19-vjeçarja mund të kenë qenë në një lidhje.
Banorët kanë hedhur gjithashtu pretendimin se e reja mund të ishte fejuar nga familjarët kundër dëshirës së saj dhe se kjo ngjarje mund të ketë ndodhur në të njëjtën ditë kur 28-vjeçari u gjet i pajetë.
Deri tani, Policia nuk ka konfirmuar një lidhje mes dy rasteve dhe as pretendimet lidhur me një fejesë të padëshiruar.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të dy ngjarjeve dhe për të verifikuar nëse mes tyre ekziston ndonjë lidhje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






