

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama i ka thënë se do të përjashtohej nga Grupi Parlamentar i PS-së nëse do të votonte kundër Reformës Territoriale.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, Braçe kritikoi përmbajtjen e reformës, duke argumentuar se ndryshimi i hartës administrative nuk shoqërohet me një transferim real të kompetencave te pushteti vendor.
“Rama tha: nëse ti voton kundër, je jashtë këtij Grupi Parlamentar. Jo ‘kush voton’, por ‘ti’. Unë jam mandatuar të votoj reforma. Më vjen keq që ky debat shkon në këtë gjë”, deklaroi Braçe.
Deputeti socialist solli si shembull Bashkinë Divjakë, duke vënë në pikëpyetje disa prej kompetencave që, sipas tij, u janë dhënë bashkive.
“Strehimi social në bashkinë e Divjakës? Po nuk qëndron. Divjaka është e strukturuar me shtëpi private, ku nuk mund të ndërtohen pallatet, sepse është brenda një zone të mbrojtur”, tha ai.
Braçe kritikoi gjithashtu mënyrën e shpërndarjes së kompetencave, duke argumentuar se disa prej tyre janë formale dhe nuk u japin bashkive mundësi reale për të ushtruar pushtetin.
“S’ka rëndësi si votoj sot. Nga kjo që po ndodh sot, askush nuk del i fituar. Kishim mundësinë që të bënim një reformë të fortë. Për mua është një betejë e humbur. As fiton kërkush”, u shpreh ai.
Sipas Braçes, një reformë e mirëfilltë territoriale duhet të fokusohet te transferimi i pushtetit dhe forcimi i njësive vendore.
“Për mua është reflektim i madh që të transferosh pushtetin. Të heqësh dorë nga pushteti për të forcuar ata që janë ditë për ditë në kontakt me njerëzit”, tha deputeti.
Ai argumentoi se qytetarët përballen drejtpërdrejt me administratën vendore dhe se decentralizimi duhet të shkojë përtej marrëdhënies mes qeverisë qendrore dhe kryetarëve të bashkive.
“Shqetësimi nuk është vetëm delegimi i pushtetit, por edhe transferimi nga kryetari i bashkisë te njësitë administrative. Mua nuk më intereson të kemi disa kryeministra në territor”, tha Braçe.
Deputeti socialist tha se do ta mbështeste një reformë nëse ajo do të synonte përmirësimin e qeverisjes vendore.
“Po të ishte një reformë për mirëqeverisjen, patjetër që do të isha pro saj”, u shpreh ai, duke kërkuar gjithashtu qartësi për statusin që do të kenë qytetet e krijuara në kuadër të hartës së re administrative.
Braçe kritikoi edhe mënyrën se si është hartuar reforma territoriale ndër vite, duke argumentuar se ndarja administrative nuk duhet të përcaktohet nga interesat e partive politike.
“Harta territoriale që nga 2014 është bërë në bazë të mazhorancës. Harta territoriale nuk duhet të bëhet për interesat partiak”, deklaroi ai.
Në përfundim, Braçe e cilësoi presionin për votimin në përputhje me qëndrimin e shumicës si problem për demokracinë e brendshme të Partisë Socialiste.
“Ti t’i thuash tjetrit që do votosh si shumica, nuk është demokraci. Ky është deformim demokratik brenda PS-së”, tha Braçe.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






