

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka rrëfyer në emisionin “Opinion” prapaskenat e reformës territoriale të vitit 2014, duke deklaruar se PS kishte propozuar fillimisht një hartë me 49 bashki.
Sipas Ballës, numri përfundimtar prej 61 bashkish u përcaktua në kushtet e koalicionit qeverisës që PS kishte me LSI-në e drejtuar nga Ilir Meta.
“Është e vërtetë që në 2014 ka pasur disa bashki, të cilat në variantin tonë të parë nuk ishin. Varianti ynë i parë në 2014 ka qenë me 49 bashki, por je në një koalicion dhe 84 vota nuk i ke”, tha Balla.
Ai solli si shembull zonën e Vlorës dhe Selenicës, duke thënë se në atë kohë kishte pasur diskutime për krijimin e njësive të reja administrative edhe për arsye elektorale.
“Në bashkinë Vlorë, se nuk kam asnjë votë. Pra, hajde shpikim dhe bashkinë Selenicë që unë të kandidoj unë me një kandidat”, tha Balla, duke e paraqitur këtë si pjesë të diskutimeve të zhvilluara gjatë hartimit të reformës.
Balla deklaroi se këto diskutime nuk kanë qenë sekrete dhe se edhe deputetë të opozitës i kanë bërë publike në atë kohë. Ai kritikoi gjithashtu Partinë Demokratike për qëndrimin ndaj reformave territoriale, duke pretenduar se opozita nuk është bërë pjesë e procesit.
Duke folur për reformën aktuale, Balla mbrojti propozimin për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Sipas tij, 15 bashkitë që parashikohet të shkrihen janë përzgjedhur për shkak të problemeve me funksionalitetin dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Janë 15 bashki që po shkrihen për shkak të performancës së ulët të funksionalitetit në shërbim të qytetarëve”, deklaroi ai.
Sipas Ballës, bashkimi i këtyre njësive me bashki më të mëdha do t’u mundësojë atyre kapacitete më të mëdha financiare dhe administrative për të përmbushur standardet e integrimit në Bashkimin Evropian.
Reforma e re territoriale është kundërshtuar nga opozita, e cila argumenton se ndryshimet mund të ndikojnë në përfaqësimin politik dhe në mënyrën e administrimit të pushtetit vendor.
Ndërkohë, brenda mazhorancës janë shfaqur edhe qëndrime kritike. Deputeti socialist Erion Braçe ka deklaruar se po përballet me një nga vendimet më të vështira të karrierës së tij politike, ndërsa Elisa Spiropali ka kërkuar që reforma të mos kufizohet vetëm te ndryshimi i hartës, por të shoqërohet me decentralizim dhe më shumë kompetenca për pushtetin vendor.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






