

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka kritikuar në Kuvend mënyrën se si po trajtohet Reforma Territoriale, duke deklaruar se ndryshimi i hartës administrative nuk mjafton pa një proces të mirëfilltë decentralizimi.
Spiropali tha se debati nuk duhet të kufizohet te numri i bashkive, por te kompetencat që ato kanë dhe mënyra se si ushtrohet pushteti në raport me qytetarët.
“Unë besoj se sot Reforma Territoriale nuk është një reformë. Duhet ta themi këtu hapur. Nuk diskutojmë një reformë territoriale, sepse nuk është pyetja sa bashki kemi, por sa pushtet duhet të ketë një bashki”, u shpreh ajo.
Deputetja socialiste kërkoi më shumë autonomi dhe përgjegjësi për pushtetin vendor, duke argumentuar se kryetarët e bashkive duhet të kenë kompetenca reale dhe të mos trajtohen si vartës të pushtetit qendror apo të partisë në pushtet.
“Nuk mund të flasim për shpërndarjen e pushtetit në territor, pa u folur për përqendrimin e pushtetit”, tha Spiropali.
Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, trajtohen kryetarët e bashkive brenda strukturave politike.
“Kryetarët e bashkive nuk mund të përdoren as si prefektë, as si elementë të rëndësishëm të partisë në pushtet. Unë jam pjesë e kësaj shumice. Duhet t’u japim atyre kompetencën dhe peshën, sepse i përfaqësojnë të gjithë”, deklaroi ajo.
Spiropali u distancua edhe nga retorika për fitimin e të gjitha bashkive nga Partia Socialiste, duke thënë se objektivi duhet të jetë forcimi i institucioneve dhe jo përqendrimi i pushtetit.
“Ne duhet që institucionet tona të jenë më të forta se njerëzit që i ushtrojnë”, tha ajo.
Në vijim, deputetja socialiste kritikoi edhe sistemin zgjedhor dhe mënyrën e funksionimit të partive politike, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga deputetët dhe më shumë hapje ndaj qytetarëve.
“Ne s’jemi as kartona, as njerëz pa përgjegjësi”, deklaroi Spiropali, duke shtuar se qytetarët duhet të kenë mundësi të dinë dhe të zgjedhin më drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre.
Ajo bëri gjithashtu thirrje për reforma të brendshme në partitë politike dhe për përzgjedhjen e kandidatëve që, sipas saj, duhet të përfaqësojnë më mirë qytetarët.
“Duhet të kemi guximin të reformojmë partitë tona. Bashkitë tona. Të zgjedhim njerëzit më të mirë që dalin nga proceset e brendshme të partisë”, u shpreh Spiropali.
Në përfundim, deputetja e PS theksoi se qëndrimi i saj ndaj reformës nuk është personal, por lidhet me mënyrën se si duhet të organizohet dhe ushtrohet pushteti vendor.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






