Transmetuar më 08-10-2026, 21:50

Presidenti amerikan Donald Trump ka nderuar Elon Musk me Medaljen Kombëtare të Shkencës, duke vlerësuar kontributin e tij në teknologji, inovacion dhe sektorin amerikan të hapësirës.

Gjatë ceremonisë, Trump e cilësoi Musk si një prej figurave më të rëndësishme të teknologjisë amerikane dhe theksoi rolin e tij në zhvillimin e industrive strategjike për Shtetet e Bashkuara.

“Ne nderojmë një titan të industrisë, një inxhinier të shkëlqyer dhe një nga themeluesit më të mëdhenj të teknologjisë që ka jetuar ndonjëherë”, u shpreh Trump.

Presidenti amerikan e krahasoi gjithashtu Musk me shpikësin amerikan Thomas Edison, duke e cilësuar “Edisonin e kohës sonë”. Trump e përshkroi Musk edhe si mikun e tij dhe vlerësoi aftësitë e tij në fushën e teknologjisë.

Në të njëjtën ceremoni u nderuan edhe figura të tjera të sektorit teknologjik. Medaljen Kombëtare të Shkencës e morën bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin, CEO i Nvidia, Jensen Huang, dhe drejtuesja e AMD, Lisa Su.

Medalja Kombëtare e Teknologjisë dhe Inovacionit iu dha themeluesit dhe drejtuesit të Dell Technologies, Michael Dell, si dhe CEO-s së Microsoft, Satya Nadella.

Musk dhe Trump kanë pasur një marrëdhënie të afërt politike, veçanërisht gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024 dhe muajve të parë të mandatit të dytë të Trump. Musk pati gjithashtu një rol në administratën amerikane, ku u angazhua në përpjekjet për reduktimin e shpenzimeve dhe strukturave të qeverisë federale.

Pavarësisht distancimit politik mes tyre në muajt e fundit, Trump e vlerësoi publikisht kontributin e Musk në teknologji dhe eksplorimin hapësinor gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit