

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka deklaruar se për të kjo është një nga ditët më të vështira në karrierën e tij politike, teksa Kuvendi po diskuton reformën e re territoriale.
Në një lidhje live për emisionin “Now” në Euronews Albania, nga ambientet e jashtme të Kuvendit, Braçe tha se ndodhet përballë një zgjedhjeje të rëndësishme: të vijojë të luftojë brenda politikës ose të largohet.
“Jo se nuk e kam ndarë ende mendjen, por sot, Erla, dhe besoj se edhe ti e di, që është dita më e vështirë e 30 viteve të mia. Se duhet të zgjedh, po them sepse duhet të zgjedh, të vijoj të luftoj apo të iki”, u shpreh Braçe.
Deputeti socialist theksoi se Partia Socialiste mbetet partia e tij, duke bërë dallim mes subjektit politik dhe individëve që aktualisht janë pjesë e tij.
“PS është partia ime dhe jo e atyre që më kanë gjetur në Parti”, tha Braçe.
Deklarata e tij vjen në një moment kur në Kuvend po zhvillohet debati për reformën territoriale dhe ndërsa brenda Partisë Socialiste janë shfaqur qëndrime të ndryshme lidhur me hartën e re administrative.
Braçe nuk specifikoi nëse do të largohet nga politika, por e paraqiti vendimin si një zgjedhje personale që lidhet me mënyrën se si do të vijojë të angazhohet politikisht.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






