

Deputeti socialist i qarkut Berat, Fadil Nasufi, ka shprehur rezerva për projektin e ri të ndarjes territoriale, që parashikon bashkimin e Bashkisë Dimal dhe Poliçan me Beratin. Megjithatë, Nasufi deklaroi se do ta votojë projektligjin në Kuvend.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ai tha se ka ndjekur kundërshtimet dhe reagimet e banorëve të Dimalit dhe Poliçanit ndaj ndryshimit të propozuar.
“Realisht prisja një hartë territoriale që e sjell organizimin e pushtetit vendor në kufirin e bashkive metropolitane ose ish-rretheve. Jam i dakordësuar me banorët e Dimalit”, deklaroi Nasufi.
Deputeti socialist ngriti pikëpyetje edhe mbi kriteret e përdorura për përcaktimin e bashkive që do të shkrihen, duke përmendur edhe Roskovecin, Kuçovën dhe Delvinën.
“Nuk e kam pse bashkohet Dimali me Beratin, por pse nuk bashkohen edhe bashki të tjera të një tipologjie, ndoshta edhe më të ulët se Dimali, si Roskoveci, Kuçova, Delvina etj.”, tha ai.
Pavarësisht kundërshtimeve, Nasufi bëri të ditur se do të votojë pro projektligjit, duke pranuar se vendimi vjen në kundërshtim me pakënaqësitë e një pjese të banorëve.
“Gjithsesi unë e votoj këtë draft, edhe pse marr mbrapsht shije të hidhur e zhgënjim të shumë banorëve që nuk janë dakord me këtë hartë administrative”, u shpreh deputeti.
Projektligji për reformën territoriale, i diskutuar në Kuvend më 8 tetor, parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Sipas variantit të propozuar, Dimal dhe Poliçan do t’i bashkohen Bashkisë Berat. Ndryshimi ka shkaktuar kundërshtime nga drejtues vendorë dhe banorë të zonave të prekura.
Qëndrime kundërshtuese ndaj mënyrës së hartimit të reformës janë shprehur edhe nga deputetë të tjerë socialistë, ndërsa Bashkia Poliçan ka publikuar më herët qëndrimin institucional lidhur me bashkimin me Beratin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






