Transmetuar më 08-10-2026, 19:36

Futbollistët e Vllaznisë kanë bojkotuar për të dytën ditë radhazi stërvitjen, në shenjë proteste ndaj pagave të prapambetura prej 4-5 muajsh.

Pak ditë para ndeshjes me Dinamon, situata te klubi shkodran mbetet e tensionuar. Në seancën e dytë stërvitore të planifikuar për sot, nga ekipi i parë janë paraqitur vetëm katër futbollistë të rinj, Bizi, Uldedaj, Tahiri dhe Ara, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës nuk ka zbritur në fushë.

Në ambientet e kompleksit sportiv kanë qenë presidenti Alban Xhaferi dhe drejtori i ri sportiv, Alban Hasani. Ata kanë zhvilluar një takim me futbollistët për të diskutuar situatën e krijuar.

Pas takimit, katër lojtarët dhe trajneri kanë zhvilluar seancën stërvitore, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës ka vijuar bojkotin.

Problemet financiare vijnë në një moment të vështirë edhe në aspektin sportiv për Vllazninë. Pas pesë javëve të para të kampionatit, skuadra ka grumbulluar vetëm dy pikë dhe renditet në fund të tabelës.

Sipas informacioneve të bëra publike, detyrimet financiare nuk lidhen vetëm me futbollistët e ekipit të parë. Të papaguara prej sezonit të kaluar rezultojnë edhe paga të trajnerëve të Akademisë së Vllaznisë.

Vllaznia duhet të përgatitet tashmë për ndeshjen e radhës ndaj Dinamos, e planifikuar më 11 tetor në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa mbetet e paqartë nëse situata financiare do të zgjidhet përpara kësaj përballjeje.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit