Transmetuar më 08-10-2026, 19:34

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke përsëritur kundërshtimin e LDK-së ndaj nismës.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Abdixhiku pretendoi se brenda më pak se 48 orësh është bërë e qartë se ndryshimet ligjore nuk prodhojnë efektin juridik që, sipas tij, u ishte premtuar qytetarëve.

“Po, ju kanë mashtruar! Dhe po, ua kemi thënë!”, shkroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së tha se partia e tij kishte paralajmëruar që më 5 tetor, gjatë debatit në Kuvend, për pasojat e mundshme juridike dhe politike të nismës.

Sipas Abdixhikut, në vend që argumentet e LDK-së të merreshin në konsideratë, partia u përball me akuza politike dhe u cilësua si kundërshtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Do ta kishit kuptuar me kohë, sikur në vend të vërsuljes ndaj LDK-së dhe shpalljes së saj si kundërshtare të UÇK-së, të dëgjonit çfarë po thonim”, deklaroi ai.

Abdixhiku publikoi gjithashtu qëndrimin zyrtar të LDK-së të mbajtur në Kuvend më 5 tetor. Në atë qëndrim, partia kërkonte që ndryshimet të trajtoheshin nga këndvështrimi juridik dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

LDK kishte argumentuar se, ndërsa e konsideron luftën e UÇK-së si “të shenjtë”, ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk mund të zhbëjë një aktgjykim dhe as të anashkalojë Kushtetutën apo detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Nuk mund t’u premtojmë se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo ta zëvendësojë betejën juridike”, thuhej në deklaratën e partisë.

Sipas LDK-së, dispozitat e miratuara mund t’i nënshtrohen edhe vlerësimit kushtetues, ndërsa miratimi i tyre në Kuvend nuk garanton automatikisht efektin juridik të pretenduar nga mbështetësit e nismës.

Pas miratimit të ndryshimeve, Abdixhiku iu rikthye këtij qëndrimi, duke shkruar se “nuk kalojnë as 48 orë dhe perdet bien”.

“Nuk e dëgjuan atëherë, le ta lexojnë me vëmendje sot”, shkroi ai.

LDK-ja nuk mori pjesë në votimin për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa nisma u miratua nga Kuvendi i Kosovës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit