

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masa sigurie për 14 persona, të dyshuar për ushtrimin pa licencë të aktivitetit të këmbimit valutor.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë së Fierit, në kuadër të një procedimi penal për veprën “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, të parashikuar nga neni 170/ç i Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe ka dokumentuar 14 raste ku subjekte tregtare dyshohet se kryenin këmbim valutor pa autorizimin përkatës nga Banka e Shqipërisë.
Për 11 persona është caktuar masa “Arrest në shtëpi”: E. Dh., H. Sh., E. I., A. I., L. T., L. Z., F. D., Ç. S., V. B., D. A. dhe R. S.
Për A. K. dhe ZH. Z. është vendosur “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, ndërsa për J. G. është caktuar masa “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Gjatë kontrolleve në subjektet tregtare dhe banesat e administratorëve, autoritetet kanë sekuestruar 4,461,000 lekë, 92,390 euro, 8,215 paund britanikë, 220 franga zvicerane, 30 lira turke dhe 45 dirhamë.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar gjithashtu një armë sportive tip pistoletë me zara plastikë, një armë antike tip pistoletë, një mjet i mprehtë antik me këllëf dhe një tjetër mjet i mprehtë metalik me bisht druri.
Prokuroria e Fierit bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar, përcaktimin e rolit të secilit person dhe vlerësimin e provave të sekuestruara.
Personat ndaj të cilëve janë vendosur masat e sigurimit janë nën hetim dhe gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






