Transmetuar më 08-10-2026, 16:22

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka kundërshtuar në Kuvend reformën e re territoriale të propozuar nga mazhoranca, duke e akuzuar këtë të fundit se po e përdor ndryshimin e ndarjes territoriale për qëllime politike.

Gjatë fjalës së tij, Boçi deklaroi se reforma rrezikon të ndikojë në shpopullimin e vendit dhe në dobësimin e komuniteteve lokale. Ai e cilësoi situatën si një “rrezik pushtues” ndaj territorit dhe lirisë së qytetarëve, duke paralajmëruar për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë ndryshimi i hartës territoriale.

“Jemi përballë një rreziku pushtues ndaj territorit dhe lirisë së qytetarëve. Jemi përballë një pushtimi tjetër pas 582 vitesh. Dhe ai ka të njëjtin qëllim, shpopullimin e vendit”, u shpreh Boçi.

Deputeti demokrat argumentoi se ruajtja e toponimeve dhe e historisë lokale është e rëndësishme për identitetin e komuniteteve.

“Sot kemi territore pa zë. Nëse humasim toponimet, kemi humbur historinë dhe nëse humasim historinë, kemi humbur Shqipërinë. Kjo është arsyeja pse një brez punon jo vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen”, deklaroi ai.

Boçi kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, është hartuar ndarja e re territoriale, duke vënë në pikëpyetje logjikën ekonomike të bashkimeve të propozuara. Ai solli si shembull zonat periferike të Tiranës, ku tha se mungojnë shërbimet bazë.

“Po të ikësh në Zall-Herr apo në periferi të Tiranës, të duket vetja si në mesjetë nga mungesa e shërbimeve. Çfarë logjike ekonomike keni përdorur për këto bashkime?”, tha Boçi.

Ai ngriti gjithashtu pyetje mbi përfshirjen e zonave si Kruja dhe Rinas në ndarjen e re territoriale, duke e lidhur këtë me performancën ekonomike të Tiranës.

“Kur Tirana ka performancë, pse i merrni Krujës ju Rinasin? Çfarë logjike përdorni në gjithë këto bashkime?”, u shpreh deputeti demokrat.

Në përfundim, Boçi akuzoi mazhorancën se ka marrë vendime mbi ndarjen territoriale duke u bazuar edhe në interesat turistike dhe politike, ndërsa u bëri thirrje deputetëve që do të votojnë reformën të marrin në konsideratë ndikimin e saj te qytetarët dhe komunitetet lokale.

“Dua t’i bëj një pyetje ndërgjegjes së deputetëve që do votojnë për Reformën, a do mundet ai t’i dalë përballë atij qytetari që i ka dhënë besimin?”, përfundoi Boçi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit