

Ish-bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, ka mbrojtur në Kuvend projektin për hartën e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, Mazniku argumentoi se bashkimi i bashkive synon përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, ndërsa i bëri thirrje opozitës të përfshihet në diskutimet për kompetencat dhe financimin e pushtetit vendor pas ndryshimit të ndarjes territoriale.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për mungesën e konsultimit me qytetarët, Mazniku deklaroi se procesi është shoqëruar me një numër të konsiderueshëm dëgjesash publike. Sipas tij, bashkimi i njësive vendore është mbështetur në lidhjet historike, kulturore dhe sociale mes komuniteteve.
“Janë njerëz që kanë histori bashkëpunimi, lidhje kulturore dhe sociale. Sa i përket konsultimit, komisioni bëri 11 dëgjesa në territor, 23 mbledhje ku u dëgjuan kryetarët e bashkive. Të gjitha ato opinione janë material parlamentar, janë produkt që është dokument parlamentar dhe ka një vlerë sot dhe në të ardhmen për të analizuar se si mund të ecet përpara”, deklaroi Mazniku.
Ai tha se projektligji, së bashku me relacionin dhe argumentimin përkatës, iu dërgua 61 këshillave bashkiakë, të cilëve iu dha mundësia të shpreheshin dhe të zhvillonin dëgjesa.
“Ligji 139, neni 90, pika 3, thotë se pala propozuese e ndryshimit territorial, kur ka një propozim specifik, i kërkon mendim kryetarëve dhe këshilltarëve dhe s’ka mënyrë tjetër. E vetmja mënyrë ishte duke depozituar një ligj bashkë me relacionin, arsyetimin. Iu çua 61 këshillave bashkiakë, iu dha koha të jepnin mendimin dhe të bënin dëgjesat. Janë organizuar 121 dëgjesa. Të gjitha këto të dhëna janë mbledhur, administruar dhe i janë dhënë Komisionit të Ligjeve”, tha ai.
Mazniku hodhi poshtë gjithashtu akuzat e opozitës se ndryshimi i hartës territoriale është motivuar nga interesa elektorale të Partisë Socialiste.
Sipas tij, PS-ja ka fituar 55 nga 61 bashki dhe, pavarësisht ndryshimit të hartës, do të mund të fitonte sërish.
“PS nuk ka interesa elektorale në këtë çështje. PS ka fituar 55 bashki nga 61 dhe i fiton sërish, me ose pa reformë. PS ka vetëm një interes: si u shërbehet qytetarëve, si përmirësohen rrugët, uji, si pastrohet më mirë qyteti, si i bëjmë bashkitë më të forta që të shkojnë në BE, që të marrin më shumë financime”, deklaroi Mazniku.
Duke iu referuar propozimit të Partisë Demokratike për krijimin e 100 bashkive, Mazniku e kundërshtoi këtë variant, duke argumentuar se një numër më i madh njësish vendore do të dobësonte pushtetin lokal dhe do të ndikonte në cilësinë e shërbimeve.
“Interesi i vetëm real elektoral është ai që sollët ju: duam 100 bashki. Të thuash këtu, si lojë kungulleshkash, t’i bëjmë 100 se është numër i bukur, i rrumbullakët. Pse i duam 100 bashki? Që të marrim më shumë në zgjedhje”, u shpreh Mazniku.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






