

TIRANË — Përpjekjet e Partisë Socialiste për të unifikuar votën për reformën e re administrative-territoriale janë shoqëruar me debate të forta mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe gjatë mbledhjes së mëngjesit të grupit parlamentar.
Sipas burimeve brenda mbledhjes, Rama ka debatuar për rreth 45 minuta me Braçen, i cili ka rikonfirmuar qëndrimin e tij kundër hartës së re territoriale.
Braçe ka argumentuar se reforma duhet të fokusohet te përmirësimi i qeverisjes vendore, decentralizimi financiar dhe autonomia e bashkive, në vend të një riorganizimi thjesht hartografik.
Nga ana tjetër, deputeti Vullnet Sinaj, i cili po ashtu kishte shprehur rezerva dhe kishte votuar kundër draftit në takimet e mëparshme, ka ndryshuar zyrtarisht pozicion duke votuar pro propozimit të mazhorancës gjatë mbledhjes së sotme.
Projektligji i propozuar nga PS-ja parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46 përmes shkrirjes së 15 njësive vendore.
Me ndryshimin e qëndrimit të Sinajt dhe me konsolidimin e radhëve të grupit, mazhoranca afrohet drejt pragut prej 84 votash të nevojshme për miratimin e reformës në seancën plenare.
Më herët sot Rama kishte paralajmëruar deputetët socialistë se nëse votojnë kundër reformës territoriale, të largohen nga mazhoranca qeverisëse.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






